Analisti Genc Burimi në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” nga Franca u shpreh se nuk beson se vitin tjetër do të ketë zgjedhje parlamentare në Shqipëri. Përkundrazi, tha se mund të ketë rrëmujë dhe gjullurdi në Shqipëri dhe luftë në Kosovë. Por ku e bazon këtë skenar?
“Unë mendoj se në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje vitin tjetër. Do të ketë rrëmujë. Një skenar. Jam pesimist si shumë fuqi në Europë. Nisur nga konteksti global. Nëse Trump mund të fitojë dhe i shkon deri në fund logjikës së tij, që Amerika të merret në radhë të parë me amerikanët dhe jo të huajt dhe shkëputet nga Europa dhe në këtë rast nuk ka më xhandarë në Europë.
Serbia mund të atakojë Kosovën duke menduar se kush do ta ndalojë tanket e Macron apo Sholz? Ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, kampi i Berishës mund të bëjë një rrëmujë mund ta rrëzojë me dhunë këtë shumicë me mendimin se kush do ta ndalojë kaskat blu të Macronit apo Sholzit? Kjo është ajo që i frikësohem.
Perëndimi duhet të kishin demokratizuar edhe Shqipërinë dhe për të detyruar Serbinë ta njohë Kosovën. Po futemi në një fazë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare me dy plagë, një Shqipëri-Kosovë dhe tjetra në Shqipëri, ku opozita nuk njeh fitoren e mazhorancës që është e korruptuar. Në këtë rast unë shoh skenarët në Afrikë.
Shikoni numrin e puçeve që janë shtuar. Edhe këta në Afrikë thonë, kush do ta na ndalojë? SHBA, Europa, Rusi, Kinë janë kaq në konflikte me njëra tjetrën. Prandaj ajo letrën aq e rëndë e ambasadorit amerikan kundër Kosovës, që u tha nuk do u ndihmojmë më kurrë. Kjo tregon se amerikanët sot kanë kaq shumë vatra zjarri në botë që nuk kanë më kapacitet ushtarak që t’i lejojnë vetes luksin dhe një vatër të re në Ballkan.
Kjo do të jetë edhe më keq nëse fiton Trump. Dhe në Shqipëri nëse ke një luftë civile nuk besoj se policia e Ramës do të mbrojë Ramën, do të jemi si në Afrikë. Për Rusinë ka më shumë interes, gjullurdi në Shqipëri dhe Mal të Zi dhe se janë vende bregdetare dhe nëse shembet shteti, serbët mund të arrijnë nesër deri në Durrës. Rusia fiton porte. Çfarë i duhet Kosova, i duhen porte në Europë” tha ai.