Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur gjyqtaren Arnisa Këlliçi e cila denoncoi pak javë më parë se ishte kërcënuar me letra anonime dhe për këtë akuzoi një gjyqtar dhe kancelarin dhe KLP i vendos mbrojtje. Por nga ekspertiza e shkrimit të letrës ka rezultuar se është një sajesë e shkruar nga vetë gjyqtarja. Gjyqtares Arnisa Këlliçi i është komunikuar akuza e deklarimit të rremë.
“Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimentale, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja shtetasja A. K”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës.








