Në gjykatën e Krimeve të Rënda në Athinë ka nisur gjyqi për Kastriot Cenkon, 39-vjeçarin shqiptar i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alba Cenko, 32 vjeçare, në fund të nëntorit 2024.
Sipas aktakuzës, Kastriot Cenko e goditi gruan me çekiç dhe më pas e mbyti, duke përdorur një kabllo karikuesi për ta strangulluar. Pas vrasjes, ai fshehu trupin e saj në papafingon e banesës për një javë, ndërkohë që dy fëmijët e çiftit vijuan jetën normalisht, ndërsa ai vazhdoi të mashtronte familjarët dhe të afërmit e viktimës.
Në seancën e parë të gjykatës, Kastriot Cenko mohoi akuzën për vrasje me paramendim, duke pretenduar se gjithçka ndodhi në gjendje të rënduar psikologjike, pa pasur paramendim për vrasjen. Ai kërkoi falje për veprimin e tij, duke iu drejtuar fëmijëve të tij dhe familjes së gruas. Gjatë hetimeve, ai kishte pretenduar se krimi kishte ndodhur pas një zbulimi të lidhjes jashtëmartesore të bashkëshortes.
Në bankën e dëshmitarëve, nëna e Alba Cenkos dha një dëshmi tronditëse, duke treguar se ishte mashtruar nga Kastrioti, i cili i kishte thënë se vajza e saj kishte ikur për të shkuar në Shqipëri. Ajo theksoi se shumë çifte kanë probleme, por kjo nuk mund të justifikonte një krim të tillë.
Dëshmitarë të tjerë, si kolegët dhe vëllai i Kastriot Cenkos, treguan se ai kishte qenë i shqetësuar dhe i mërzitur ditët para ngjarjes, ndërsa vëllai i tij tha se konflikti kishte lindur pasi Alba kërkoi ndarje dhe u përpoq të largohej me një burrë tjetër.
Gjyqi për këtë rast tragjik do të vazhdojë me dëshmi të tjera dhe pritet të sjellë më shumë informacione për motivet dhe rrethanat e ngjarjes.









