Pakistanezët e sfiduan motin e ftohtë dimëror për të votuar në zgjedhjet parlamentare të enjten, në një kohë kur dhuna është duke u rritur, së bashku me telashet ekonomike dhe politike.
Votimi, i cili filloi në orën 8 të mëngjesit sipas kohës lokale, po mbahet një ditë pasi së paku 30 njerëz u vranë nga dy shpërthime të ndërlidhura me zgjedhjet në provincën Balochistan në jugperëndim të Pakistanit dhe në një kohë kur inflacioni ka arritur gati në 30 për qind dhe ish-kryeministri, Imran Khan, politikani më i njohur në vend, është në burg.
Më shumë se 650.000 ushtarë, policë dhe paramilitarë janë duke ofruar siguri në vend gjatë këtyre zgjedhjeve.
Anketuesit kanë parashikuar një dalje të vogël në zgjedhje në vendin ku 128 milionë njerëz kanë të drejtë vote, për shkak të pengimit të partisë së Khanit, Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI) dhe dy shpërthimeve të mërkurën, të cilat ndodhën pranë zyrave të kandidatëve.
Përgjegjësinë për këto sulme e mori Shteti Islamik.
Autoritetet ngulën këmbë se dhuna nuk do ta ndalte mbajtjen e zgjedhjeve.
“Çdo përpjekje për ta sabotuar situatën e paqes dhe sigurisë do të parandalohet”, tha kryeministri në detyrë i Pakistanit, Anwar ul-Haq Kakar, pas shpërthimeve.
Megjithatë, Ministria e Jashtme tha se kufijtë me Iranin dhe Afganistanin janë mbyllur dhe se shërbimet telefonike në zonat kufitare janë ndalur, për çështje sigurie./REL