Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për mjekun e QSUT, Edvin Prifti dhe ka dërguar çështjen për gjykim.
Kirurgu Prifti akuzohet kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” në 7 (shtatë) raste, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas SPAK, nga hetimet nga rezultuar se Edvin Prifti gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, “të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.”
Në momentin e arrestimit gjatë kontrollit të ushtruar në banesë dhe në zyrë i janë gjetur dhe sekuestruar 56.800 euro, 7.600 dollarë dhe 15.435.000 Lekë, shuma parash të cilat mjeku nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme dhe dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale.