Ish-zv/ministri i Jashtëm i Kosovës Anton Berisha në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” teksa komentoi vizitën e sekretarit Blinken në Tiranë u shpreh se kryeministri Albin Kurti e ka futur Prishtinën në një konflikt të fortë me Amerikën.
Ai tha se kemi të bëjmë me një stil rebelizmi, me një papërgjegjshmëri totale dhe në mungesë të rezultateve nga qeveria. Por a po e humbet Kosova, Amerikën për këtë sjelle?
“Kjo është një pyetje si një konstatim i rëndë, por unë besoj që raportet e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi me Amerikën janë më të mëdha, thella dhe komplekse sesa raportet e një qeveri aktuale, e cila me një papërgjegjësi të jashtëzakonshme është duke e trajtuar shtetin që po e udhëheq.
Ky është një formacion parapolitik që është formalizuar si politik, ka neguar proceset më të rëndësishme të Kosovës dhe ka pasur një retorikë anti-perëndimore dhe anti-amerikane dhe po e vazhdon edhe tani nga pozicioni i qeverisjes duke e vendosur Kosovën në një pozicion mjaft të rëndë.
Një qeveri me një stil rebelizmi, me një papërgjegjshmëri totale dhe në mungesë të rezultateve krijon kriza të vazhdueshme. Krijon probleme dhe kjo ka sjellë situatën që me SHBA-në, përkundër eksperiencës dhe fuqisë, kanë humbur durimin dhe tani janë duke shprehur pakënaqësi me qeverinë e Kosovës dhe Kosovën” tha ai për “5Pyetjet.al”.