Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Mali i Zi është një “partner i fuqishëm i NATO-s” dhe shprehu bindjen se Qeveria malazeze mund të nisë një integrim më të thellë evropian dhe transatlantik.
O’Brien u prit të hënën në Podgoricë nga kryeministri malazez, Millojko Spajiq.
Paraprakisht, ai u takua edhe me prokurorin e lartë dhe special të Malit të Zi.
“Jam i bindur për përkushtimin e Malit të Zi në rrugën evropiane. Fakti që prokurorët po veprojnë me kapacitet të plotë, është një arritje e madhe e qeverive të fundit. Institucionet e ndërtuara do të punojnë për të mirën e qytetarëve”, tha O’Brien.
Spajiq tha se në fokus të bisedës së tij me zyrtarin amerikan ishte ekonomia. Ai tha se pret që ekonomia amerikane të jetë shumë më e interesuar për tregun malazez.
“Mali i Zi nuk mund të ecë përpara pa një ekonomi si ekonomia amerikane prej 25 trilionë eurosh. Ne i vlerësojmë miqtë tanë amerikanë që ishin vërtet shumë konstruktivë në lidhje me dialogun ekonomik malazezo-amerikan”, tha Spajiq.
Ai tha se Mali i Zi ka përgatitur një plan prej rreth 90 reformash, të cilat do ta afrojnë atë me tregun e BE-së dhe shtoi se Uashingtoni po e ndjek atë.
O’Brien deklaroi se Bashkimi Evropian është duke përgatitur një paketë për Malin e Zi, e cila duhet t’i zvogëlojë kostot financiare, ta përshpejtojë transportin dhe ta lehtësojë punën e komunitetit të biznesit.