Liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe liderë të tjerë perëndimorë, si dhe personalitete mbërritën në Kiev të shtunën herët, të etur për ta përçuar një mesazh sfidues në përvjetorin e dytë të fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha bashkatdhetarëve të vet përmes një videoje nga një aeroport i Kievit, i cili ishte skenë e luftimeve të ashpra në fillimit të pushtimit, se dy vjet luftime të vështira nënkuptojnë se “ne jemi edhe 730 ditë larg fitores”.
“Dy vjet më parë, ne e takuam këtu një forcë zbarkuese armike dhe [iu përgjigjëm] me zjarr”, tha Zelensky, para se të shtonte duke iu referuar vizitës së shumë liderëve të huaj në Ukrainë për ta shënuar dyvjetorin se “dy vjet më vonë, ne i takojmë këtu miqtë dhe partnerët tanë”.
Ai theksoi se është e rëndësishme që lufta të përfundojë “sipas kushteve tona”.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, si dhe ai i Belgjikës, Alexander De Croo, udhëtuan me tren nga Polonia drejt Kievit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të shtunën./REL