Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca nga akuza për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 18 gusht 2016.
Gjyqtarja Edita Çanta tha se përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca, sa ishte deputet opozitar, e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Aktakuza për këtë rast ishte ngritur më 2017 dhe përmbante edhe akuzën për veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, mirëpo ndjekja për këtë vepër penale është parashkruar vitin e kaluar.