Nën akuzë për korrupsion, SPAK dërgon për gjykim një Oficer të Policisë Gjyqësore dhe 2 qytetarë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake, dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.180, të vitit 2022, me të pandehur shtetasit:
- Fatbardh Lala, i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi i IV dhe 295/a paragrafi i III të K. Penal.
- Tefta Llagaçi, e akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i 2 dhe 25 të K. Penal.
- Ermir Llagaçi, i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i 2 dhe 25 të K. Penal.
Në përfundim të hetimit paraprak, provat e përftuara janë të afta të provojnë, tej çdo dyshimi të arsyeshëm, se të pandehurit Ermir Llagaçi dhe Tefta Llagaçi, në bashkëpunim me njëri tjetrin, duke patur një qëllim të përbashkët, e duke kryer veprime të ndërlidhura midis tyre, i kanë dhënë shumën monetare prej 55.000 lekë Oficerit të Policisë Gjyqësore Fatbardh Lala, pasi ky i fundit i ka dalë garant dhe u ka siguruar se mund të ushtronte ndikim tek funksionarët e drejtësisë, që janë prokurori dhe gjyqtari, të cilët kanë patur në hetim e më tej në gjykim, çështjen penale në ngarkim të personit nën hetim Ermir Llagaçi, duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i 2 dhe 25 të K. Penal.