-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Besi Brahimi: Pse duhet një Muze për Çamërinë?

Kryesoret

Si anëtar i këshillit bashkiak të Vlorës e votova  pa hezitim projektvendimin me nr. Prot 2930, datë 23.02.2024 për “Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Albania-American Development Foundation dhe Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Vlorë “Për ngritjen e Muzeut Hebraik të Shqiptarëve në Vlorë”. Ne relacionin e Projektvendimit thuhej se : “Me anë të këtij projekti palët synojnë të mbështesin një histori unike, dedikuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike të Vlorës”.

Përgëzoj ideatorët dhe Bashkinë Vlorë që e mbështeti idenë e këtij projekti. Muzetë , nga vetë natyra e tyre, kanë luajtur gjithmonë një rol të madh në ruajtjen dhe në vlerësimin e trashëgimisë kulturore. Trashëgimia, në plot kuptimin e fjalës, duhet parë si trashëgimi e të gjithëve. Uroj që ky muze të shfrytëzojë mundësitë e mëdha të ofruara nga mjetet moderne të komunikimit dhe të shndërrohet në një mjedis ndërveprues të kulturës dhe dialogut, jo thjesht dhe vetëm për hir të humanizmit, duke tërhequr sa më shumë vizitorë.

Sot më tepër se kurrë ne kemi për detyrë të lehtësojmë dialogun mes kulturave të ndryshme të botës, të luftojmë kundër paragjykimeve dhe gjithë ekstremiteteve. Sa dritë do të kishte bota jonë, nëse secili prej nesh do të ndizte vetëm një qiri shumë të vogël në përpjekjen për të drejtat e njeriut, në ngulitjen e ndjenjës së solidaritetit aktiv, njohjen dhe vlerësimin e kulturave të tjera, si dhe lehtësimin e mësimit të pluralizmit kulturor!

Ngritja e një muzeu kulturor hebraik është njerëzore, është shenjë e përparimit të arsyes dhe qytetërimit. Kombet, në pamundësi për t’u mjaftuar me vetveten, bëhen solidarë me njëri – tjetrin dhe me kulturat e njëri- tjetrit. Kush më shumë se shqiptarët të cilët provuan shekullin e kaluar dy prej genocideve më të tmerrshme në historinë e krimeve në botë, kupton krimet dhe persekutimin ndaj hebrejëve! Kush më shumë se ne shqiptarët e Çamërisë që po provojmë në kurrizin tonë presionin për të na çuar drejt harresës do të  mirëprisnin dhe inkurajonin ngritjen e muzeumeve të kujtesës!

Çdo kulturë ka vlerat e  saj morale, pavarësisht nga përkatësia, por para së gjithash ne duhet të konsolidojmë personalitetin tonë kulturor si popull, si komb, dhe ta mbrojmë atë si një gjë të shenjtë. Genocidi dhe krimet nuk kanë etni, ne duhet të kujtojmë krimet e nazistëve njësoj si krimet e Zervistëve ndaj Shqiptarëve në Çamëri, ne duhet të kujtojmë krimet e Putinin në Ukrainë njësoj si krimet e Serbëve në Kosovë. Asgjë nuk është e sinqertë nëse nuk e fillojmë nga vetja. Mbikombëtarja duhet të mbështetet në themele kombëtare. Duhet të përsosim rregullat se si duhet të sillemi ndaj traditës sonë historike e kulturore, që të bëhemi të besueshëm edhe për të tjerët.

Ne çamët, shpërngulur me dhunë e genocid nga trojet dhe shtëpitë tona 80 vjet më parë, bartës të një trashëgimie  shqiptare, me një kulturë e trashëgimi të lashtë historike, jemi për respektimin e historisë dhe kulturave të popujve të tjerë, që meritojnë të ruhen dhe të evokohon. Nuk kemi asnjë paragjykim për këtë. Nuk jemi as ksenofobë as ksenofilë.

Çamëria, trashëgimia jonë e përbashkët, po kërcënohet sa vjen e më shumë. Pasuritë e saj, vlerat materiale dhe kulturore po degradohen. Për këtë arsye nevojitet urgjent ruajtja e kësaj trashëgimie kombëtare, por edhe botërore, jo vetëm për veten tonë, por edhe për breznitë e ardhshme.

Një muze i gjallë për Çamërinë do të siguronte vijueshmërinë mes të kaluarës dhe të tashmes dhe do krijonte mundësi të mira për të vazhduar kërkimin e saj edhe në të ardhmen, përmes sensibilizimit dhe thirrjes së kujtesës.

Ky nuk është thjesht një mendim i imi, që më lindi spontanisht. Shpesh herë në Vlorë, gjatë takimeve të mia me qytetarët, me origjinë came por edhe vlonjatë, më kanë pyetur përse nuk ngrihet një muze për genocidin ndaj Çamërisë, për historinë dhe kulturën çame. A nuk është Çamëria pjesë e identitetit kulturor kombëtar dhe e historisë sonë kombëtare? A nuk ishte genocidi i ushtruar ndaj popullsisë çame një reagim i dhunshëm dhe mizor ndaj përpjekjeve të saj në mbrojte të integritetit etnik kulturor shqiptar dhe të qenësisë shqiptare, për të mos lejuar greqizimin e Çamërisë?

Tragjedia çame është tragjedi e gjithë shqiptarëve. Ndaj ngritja e një muzeu të tillë, transmetimi në breza i vlerave çame mendoj se do të kontribuonte në ngritjen e vetëdijes kolektive, për të mos e lënë çështjen çame në harresë dhe për ta trajtuar atë si një çështje të të gjithë shqiptarëve.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit