Tetë liderë të Europës Juglindore u mblodhën në Tiranë për t’i treguar Presidentit të Ukrainës Vlodymyr Zelensky mbështetjen e kësaj pjese të kontinentit. Zelensky kërkoi ndihmë për armatime dhe për këtë tha se do të shpalosë planin për të prodhuar armë në Ballkan. Ish-ministri i Jashtëm, Arian Starova në një intervistë për “5Pyetjet.al” tha se samiti ishte i cunguar dhe se nuk ndryshon thuajse asgjë.
“Samiti i sotëm në Tiranë është gjeopolitikë. Situata e sigurisë jo vetëm në rajon por edhe në botë është shumë e brishtë me konflikte dhe probleme. Shqipëria ka një traditë të mirë në sigurinë rajonale që është e dhënë për dialogun, bashkëpunimin. Kjo është historike.
Shqiptarët kanë qenë gjithnjë faktor paqeje dhe jo lufte. Është mirë. Dhe aq më tepër që bëhet për Ukrainën. Disa aktorë të Ballkanit kanë qëndrim të dyfishtë, edhe nga Rusia edhe nga Ballkani. Ky samit nuk mund të prodhonte më shumë se kaq. Deklarata ishte e cunguar. Samiti mbetet brenda kësaj kornize.
Ka përpjekje nga Rusia nga aktorët e tretë që të krijojë një problem edh enë Ballkan. Shpresoj që të jetë diskutuar për këto prapa dyerve të mbyllura, por deri tani nuk shikoj. Samiti ishte i sforcuar, edhe pa këtë samit situata është e njëjta gjë” tha ai.
Por si e shikon planin për prodhimin e armëve? “Duket një ambicie shumë e lartë. Ukraina është krejt ndryshe nga ne, por shpresoj që të ecet në këtë rrugë. Më duket paksa e parakohshme për Shqipërinë. Industria ushtarake kërkon teknologji të lartë dhe shpenzime, ndërkohë që Shqipëria ka shumë halle të tjera” tha ai. Edhe fishekët? “Fishekët janë gjëja më e thjeshtë. Fishekë kam përshtypjen që kemi akoma nga e kaluara” përfundoi Starova për “5Pyetjet.al”.