Pas vjedhjes së një kasaforte të një biznesi në Sauk, kanë rënë në pranga 3 persona ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Policia njofton se nga grabitja hajdutët kanë mare 4000€ dhe 100 000 lekë, e pasi mbaruan punë hodhën kasafortën në lumin Shkumbin në Elbasan.
“Identifikohen dhe vihen në pranga pas një ndjekje intensive nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, tre autorët e dyshuar. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Sekuestrohen kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur.
Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me DVP Elbasan, u bë arrestimi i shtetasve:
- B. S., 53 vjeç, E. K., 37 vjeç dhe A. Ç., 40 vjeç, të tre banues në Elbasan.
Gjithashtu, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasit E. Gj., 27 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 01.03.2024, kanë vjedhur në një biznes në Sauk, një kasafortë me 4000€ dhe 100 000 lekë, dhe më pas, kasafortën e kanë hedhur në lumin Shkumbin, në Elbasan.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme” njofton policia.