Ka përfunduar në prangat e policisë greke një 44-vjeçar shqiptar. Ai u kap teksa do të trafikonte disa sende antike. Arrestimi i tij u bë në ishullin Evia, e gjitha falë një informacioni anonim prej të cilit u zbuluan dhe sendet e vjedhura.
Sipas mediave helene, në makinën e shqiptarit u gjetën 8 objekte dhe 38 monedha antike. Ato u ekzaminuan nga një arkeolog, i cili u shpreh se objektet përfshihen në listën e sendeve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe përbëjnë objekte me vlera të rëndësishme historike dhe arkeologjike.
Monedhat ishin pjesë e një “thesari” nga një varr i lashtë. Midis tyre ishte një tetradrahmë argjendi që përshkruante Aleksandrin e Madh dhe Zeusin, me vlerë 5000 €.
Monedhat datojnë midis viteve 320 dhe 280 para Krishtit.
Dimitris Christodoulou, drejtor i Eforatit të Antikiteteve Evia, deklaroi se monedhat duhet të jenë ruajtur në një enë balte hermetike të gjetur brenda varrit, ndërsa 22 monedha tregojnë Aleksandrin e Madh dhe Zeusin.