Me rastin e 8 Marsit, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja zhvilloi sot një vizitë në burgun e grave në zonën e “Ali Demit”. Aty njoftoi se së shpejti gratë dhe vajzat e dënuara do të zhvendosen në një burg me standarde në Pogradec. Ministri i Drejtësisë deklaroi se brenda marsit godina e re në Pogradec do të përfundojë mobilimin e brendshëm.
“Ky institucion ofron kushte për trajtimin e grave, por jo në parametrat e duhura. Nuk janë kushtet të pabanueshme, as shumë të vështira, por ndodhte në një zonë të rrethuar nga ndërtimet. Janë kushte optimale por jo ato që duhen të jenë.
Po shikohet mundësia e lëvizjes nga ky institucion. Është diskutuar zhvendosja në Pogradec. Atje godina është drejt përfundimit të mobilimit, brenda marsit mbaron mobilimi i brendshëm. Plotëson të gjitha standardet e trajtimit për të gjitha gratë dhe vajzat e dënuara. Por zhvendosja do të bëhet pas amnistisë”, tha Manja.
Foli edhe për amnistinë dhe negociatat me opozitën duke deklaruar se eshte gati të beje nje hap pas. “U bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi në Kuvendin e Shqipërisë, pa përjashtim… dhe një nga arsyet se unë pres ditën kur ta fusim në rendin e ditës, ka të bëjë me votën që duhet të marrë, jo thjesht 84 vota.
Unë kam thënë se ky ligj amnistia, që ka 4 vjet që nuk është bërë të marrë votën e të gjithë deputetëve. E kam thënë që ditën e parë, nëse problemi është ai amendament, ne kemi deklaruar, jemi të gatshëm të tërhiqemi, sepse nuk ka qenë në versionin fillestar të amnistisë” tha ai.