Në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, Presidenti amerikan Joe Biden kërkoi miratimin nga Senati të paketës së ndihmave prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, vendet e rajonit Indo-Paqësor, Izraelin dhe operacionet humanitare në Gazë. Projektligji përballet me kundërshti në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, pyeti ligjvënësit nëse ndryshuan mendje pasi dëgjuan fjalimin e Presidentit.
Ndihma për Ukrainën ishte në qendër të fjalimit të këtij viti të Presidentit Biden mbi gjendjen e vendit.
“Ukraina mund ta ndalë Putinin, nëse e përkrahim dhe i japim armët që i nevojiten për t’u mbrojtur”, deklaroi Presidenti Biden.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka refuzuar të përfshijë në kalendarin për votim projektligjin e ndihmave prej 95 miliardë dollarësh të miratuar nga Senati, duke zhgënjyer kështu ligjvënësit demokratë.
“Nëse futet financimi për Ukrainën në programin e punës së Dhomës së Përfaqësuesve, atëherë do të miratohet me shumicë dërrmuese”, thotë ligjvënësi demokrat Don Beyer.
Ndihmat për Ukrainën mbështeten edhe nga shumë ligjvënës republikanë.
“Mendoj se ka një objektiv moral. Mendoj se ka një arsye strategjike për ta bërë këtë. Kemi një botë që duket shumë si ajo e vitit 1938, me diktatorë të veckël që janë tërësisht të interesuar për gjenocidin që shkaktoi Luftën e Dytë Botërore”, thotë ligjvënësi republikan Jake Ellzey.
Por, ligjvënës të tjerë republikanë thonë se do të dërgojnë ndihma të mëtejshme për Ukrainën vetëm nëse jepen më shumë fonde edhe për forcimin e sigurisë në kufirin SHBA – Meksikë.
“Flasim për kufijtë e Ukrainës – po për kufijtë tanë? Do të thoja për shembull se si kompromis, mund të japim nga një dollar për kufirin tonë jugor, për çdo dollar që japim për Ukrainën”, thotë ligjvënësi republikan Doug LaMalfa./VOA
Lexo KËTU shkrimin e plotë: