-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arben Malaj: Rëndësia e komunikimit publik të Bankave Qendrore

Kryesoret

“Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën: vetëm drita mund ta bëjë këtë”. Anonim

Ky mesazh vlen edhe për debatin për efektet jopozitive të krijuara nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit në territorin e Kosovës. Debati nuk është për thelbin e vendimit, të cilin profesionalisht e mbështes, por për “errësirën” e përgatitjes dhe moskonsultimit të tij.

Mungesa e transparencës së vendimit, komunikimi i vonuar me publikun dhe mungesa e konsultimit zyrtar me grupet që prekeshin, zbehën dhe vonuan zbatimin me sukses të tij. BQ e Kosovës ka pavarësi për vendimmarrjet e saj, por sidomos gjatë krizave, bashkërendimi me qeverinë është i detyrueshëm. Kjo nuk cenon sado pak pavarësinë e saj. Gjatë menaxhimit të krizës së vitit 2008 në SHBA, kreu i FED Ben Bernake, sekretari i Thesarit, Henry M.Paulson, së bashku me Timothy F. Geithner, takoheshin çdo mëngjes me njëri-tjetrin. Kjo nuk cenoi pavarësinë e asnjë institucioni, por rriti efektivitetin e bashkërendimit të paketave antikrizë. Ky bashkëpunim unifikoi qëndrimin dhe komunikimin e tyre me publikun. Kjo zvogëloi efektet negative të krizës, veçanërisht pasigurinë e individëve dhe bizneseve.

Rasti vendimit të BQK për ndalimin e përdorimit të dinarit rikthen diskutimet lidhur me parimet dhe rëndësinë e komunikimit publik të bankave qendrore. Një komunikim i mirë me mesazhe të qarta i Bankave Qendrore lehtëson implementimin e politikave monetare. Një komunikim publik i “keq” zgjat periudhën e transmetimit të politikave monetare në ekonominë reale dhe ul dhe efektivitetin e tyre. Në historinë e efekteve negative të komunikimeve publike njihet rasti i Ben Bernarke, i cili në vitin 2006 u përzgjodh nga presidenti Bush si shef i FED/guvernatori i BQ të SHBA.

Ditën e parë duke dalë nga shtëpia për të shkuar në zyrë, Bernake ndjehet i rrethuar nga gazetarë të shumtë. Përgjigjja e tij për sfidat e ekonomisë amerikane u shpërnda si një mesazh pasigurie dhe frike. Bursat ranë ndjeshëm. Kriza e tregjeve të kapitaleve e SHBA mund të kthehej në krizë globale. Që prej atij rasti Bernake mori një vendim që asnjëherë nuk do të jepte intervista në mënyrë spontane.

Mario Draghi, guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), kur u kritikua në Parlamentin Evropian se politikat antikrizë të BQE nuk po jepnin efektin e duhur, theksoi se në ekonomitë e hapura dhe të lira, zhvillimet e ekonomisë influencohen shumë nga perceptimi\pritëshmëritë publike, të cilat përkeqësohen edhe nga agresiviteti ndërpartiak në vendet dhe institucionet e BE-së.

Përfitimet kryesore të BQ nga një komunikim efektive përfshijnë: (i) rritjen e efektivitetit të politikës monetare, pasi komunikimi i qartë ndihmon publikun të kuptojë arsyetimin që qëndron pas vendimeve të politikës monetare; (ii) rritja e llogaridhënies dhe besimit duke shpjeguar hapur vendimet dhe objektivat e tyre, BQ duhet të ndërtojnë besim dhe besueshmëri me publikun; (iii) përmirësimi i funksionimit të tregut, pasi komunikimi efektiv mund të zvogëlojë pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë në tregjet financiare. Kur publiku kupton qëndrimin e BQ dhe drejtimin e politikës së ardhshme, ai mund të marrë vendime investimi më të mirinformuara, duke çuar në funksionim më të qetë të tregut; (iv) BQ mund të luajnë një rol edukativ duke thjeshtuar konceptet komplekse ekonomike. Kjo mund t’i fuqizojë individët që të marrin vendime të informuara financiare dhe të marrin pjesë në mënyrë më aktive në sistemin ekonomik.

Elementët kryesorë të një komunikimi joefektiv të Bankave Qendrore përfshijnë: (a) zhargoni teknik i përdorur, deklaratat e BQ mund të jenë plot me zhargon ekonomik që është e vështirë për t’u kuptuar nga publiku; (b) mbingarkimi i deklaratave për shtyp me terma jo lehtësisht të kuptueshme mund të krijojë konfuzion dhe ta bëjë të vështirë për publikun të kuptojë qëllimet e bankës; (c) komunikimi i BQ nuk duhet të shpërndaj sinjale të përziera. Për dekada në historinë e BQ ka dominuar ideja se komunikimet publike të guvernatorëve të ishin “sa më shumë lehtësisht të pakuptueshme nga publiku; (d) komunikimi i BQ mund të jetë i paqartë ose i hapur për interpretime të ndryshme. Kjo mund të çojë në paqëndrueshmëri të tregut, pasi investitorët përpiqen të kuptojnë se çfarë do të bëjë banka; (e) BQ duhet të eliminojnë vonesat në komunikimin publik. Ato nuk mund të presin shumë gjatë për të komunikuar ndryshimet e politikave, veçanërisht gjatë krizave të besimit. Vonesa mund të shkaktojë pasiguri dhe të gërryejë besimin e publikut. Disa nga këshillat më të mira për BQ për të përmirësuar efikasitetin e komunikimit të tyre publik përfshijnë: qartësi dhe thjeshtësi, gjuhë sa më e thjeshtë, të hiqen zhargonet e pakuptueshme.

Kërkohet të përdoret gjuhë e qartë dhe koncize, që edhe një person me njohuri mesatare ekonomike t’i kuptojë vendimet e tyre. BQ në komunikimin e tyre publik duhet të fokusohen në qartësimin e arsyeve për vendimet e marra. Kjo kërkesë vlen edhe për rastin e BQK për vendimin e saj për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë. Çdo politikë apo vendim duhet të ketë pjesë integrale dhe të rëndësishme edhe strategjinë e komunikimit publik. Informimi i publikut kërkon që BQ të sigurojnë përditësime të qëndrueshme mbi kushtet ekonomike dhe ndryshimet e politikave. Publiku nuk duhet lënë të hamendësojë. Shumë e rëndësishme për strategjinë e komunikimit të BQ është një qasje proaktive.

BQ nuk duhet të presin që krizat të dominojnë komunikimin publik. Ato duhet të adresojnë rregullisht shqetësimet ekonomike dhe skenarët e mundshëm të reagimeve. Në plotësimin e misionit të tyre BQ duhet të ndërtojnë besimin dhe kredibilitet tek publiku dhe agjentët ekonomikë. Ato duhet të njohin në kohë shqetësimet publike, të adresojnë ankthet dhe të shpjegojnë se si politikat do të ndikojnë në jetën e tyre të përditshme. Përvojat pozitive të komunikimit publik të BQ-ve përfshijnë: organizimin e sesione të rregullta pyetje-përgjigje me publikun ose median për t’iu përgjigjur drejtpërdrejtë shqetësimeve; shpjegimin e kufizimeve te veprimeve të BQ dhe faktorët kompleksë ekonomikë që ndërveprojnë.

BQ duhet të synojnë përshtatjen e komunikimit për grup-mosha dhe struktura demografi të ndryshme. Ato duhet të matin efektivitetin e strategjive të komunikimit që të kuptojnë sa mirë kuptohen mesazhet nga publiku. Në bazë të gjetjeve mund të bëhen përmirësime në strategjinë e komunikimit. Bankat qendrore mund të nxisin një kuptim më të mirë publik të rolit të tyre, të krijojnë besim dhe të lehtësojnë implementimin e politikave monetare. Simon Sinek konkludon se: “Liderët e mëdhenj komunikojnë dhe komunikuesit e mëdhenj udhëheqin”. Bankat Qendrore duhet të udhëheqin pritshmëritë dhe zhvillimet në ekonomi.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit