Procesi i identifikimit elektronik të votuesve, i cili u ndërtua dhe u përdor në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ato të pushtetit vendor më 2023, synoi të zhveshë zgjedhjet shqiptare nga disa shqetësime të përsëritura, përfshirë votimin familjar, votimin në vend të një shtetasi tjetër dhe votimin e dyfishtë. Por një analizë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve zbuloi se në zgjedhjet e 14 majit 2023 për pushtetin vendor, pajisjet nuk funksionuan në 581 nga rreth 5200 qendra votimi në të cilat u përdor, bëhet e ditur nga një analizë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI) u ble nga KQZ përmes një procesi prokurimi. Synimi i saj është leximi i kartave ose pasaportave biometrike dhe leximi i shenjës së gishtit të votuesit, në mënyrë që të mos ketë pasiguri në këtë proces dhe të shmanget votimi për të tjerët.
Arsyet e mosfunksionimit të identifikimit elektronik ndahen në tre kategori të mëdha, sipas studimit; mungesa e operatorëve, mungesa e lidhjes me rrjetin GSM të komunikimit të lëvizshëm dhe pajisje defektoze.
Në 12 për qind të rasteve kur pajisja nuk punoi, arsyeja ishte e thjeshtë: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të gjejë punonjës për t’i operuar. Më së shumti këto raste i takonin qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër, dy qarqe të depopulluara ndjeshëm gjatë dekadave të fundit.
“Qendrat e votimit të kategorisë së parë, që nuk kishin operator në qendrat e votimit për të përdorur pajisjen PEI, i përkasin në pjesën dërrmuese të tyre qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër, konkretisht bashkive të Dropullit, Finiqit dhe Konispolit. Për këto bashki ka dështuar procesi i rekrutimit të operatorëve. Vështirësia e rekrutimit të operatorëve për shkak të emigrimit të popullsisë është një situatë e përsëritur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021,” shkruhet në raportin e auditimit./BIRN
Lexoni KËTU shkrimin e plotë