Gjorgje Bojoviq tha se krimet që shteti serb i ndërmori në Kosovë ishin krime kundër njerëzimit, dhe kishte të drejtë. Pse u sulmua atëherë në rrjete sociale?
Pashë një sërë reagimesh ndaj Gjorgje Bojoviqit, asistent i europarlamentares dhe raportueses për Kosovën, Viola Von Cramon, dhe e kanë një metodologji që u përket mediave sociale, jo tash, por prejse u shndërruan në hapësirën publike dominuese. Është metodologjia e topit të borës që fillon me një guralec dhe shndërrohet pastaj në një masë të madhe, që me gjuhën e vet shkatërron apo tenton të shkatërrojë çdo gjë rreth vetes. E di si ndihet ai që i është drejtuar guraleci, kam qenë shumë herë ai që ka parë topin e madh të borës, sa një ndërtesë pesëkatëshe, drejtuar ndaj meje si guralec fillestar urrejtjeje.
Andaj, më duket që në vend se të merrem me linçimin, mohimin e së drejtës së mendimit tjetër apo përcaktimit se cili nacionalitet ka të drejtë të flasë (dhe si) për shqiptarët e Kosovës, do të merrem me guralecin fillestar. Pra, çka është ajo që tha Gjorgje Bojoviq, para ndonjë viti në një tribunë publike që shkaktoi gjithë këtë rrëmujë reagimesh, përfshirë edhe ato qartazi të ndërtuara mbi paragjykimin e madje edhe urrejtjen?
Tha që nuk i bën mirë Lëvizjes Vetëvendosje (apo ta zgjerojmë argumentin, Kosovës në tërësi) që të insistojë se në Reçak apo në vende të tjera të masakrave të ushtrisë e policisë serbe në Kosovë është ushtruar gjenocid. Pra, thotë Bojoviq, këto janë krime kundër njerëzimit dhe nuk i ndihmon argumentit tuaj që të përpiqeni ta bindni botën se aty është kryer gjenocid. Përkundrazi, thotë ai, e dobëson pozicionin e argumentit tuaj.
Dhe ky formulim shërbeu për ta akuzuar për mohim të krimeve serbe në Kosovë, madje u quajt mohues i gjenocidit.
2.
Nëse ky është argumenti për të hedhur guralecin me shpresën që të bëhet ortek, atëherë është krejtësisht i gabueshëm. Gjorgje Bojoviq ka, sipas mendimit tim, plotësisht të drejtë në argumentin e tij. Dhe, nuk po merrem fare as me aktivizimin e tij për të drejtat e njeriut e dialogun me shqiptarët, e as me faktin se është asistent i Viola Von Cramonit, e cila për një kohë të gjatë ka mbajtur kërkesat për avancimin e Kosovës në Evropë. Po merrem vetëm me këtë argumentim me të cilin pajtohem.
Veprimet e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999 kanë marrë sanksionimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi me rastin e Shainoviq et al. Këtë e di prej dorës së parë, isha dëshmitar i prokurorisë në këtë rast. Me verdikt të plotfuqishëm, Nikola Shainoviq, nënkryetari i Qeverisë “federale” dhe një grup gjeneralësh të ushtrisë u dënuan për krime kundër njerëzimit. Më 2009, Nikola Shainoviq, së bashku me katër të pandehur të tjerë, u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Shainoviq u dënua veçanërisht për dëbim, transferim të dhunshëm dhe persekutim, si krime kundër njerëzimit. Ai u dënua me 22 vjet burgim.
Rrjedhimisht, u dënuan persona që bartnin funksione me përgjegjësi në shtetin serb, duke e implikuar në këto krime vetë shtetin.
3.
Në Kosovë këto krime mund të konsiderohen si gjenocid nga persona apo grupe politike. Por, për ta dëshmuar këtë, jo vetëm se nevojitet kapaciteti ligjor, meqë krimi i gjenocidit është i gjykueshëm në bazë të Konventës për Gjenocid të OKB-së, organizatë në të cilën nuk është anëtare Kosova, por edhe më me rëndësi, për të arritur në verdikt të gjenocidit, duhet të dëshmohet se ka ekzistuar qëllimi, pra qëllimi i deklaruar dhe përpiluar i shkatërrimit të një grupi apo pjese të grupit.
Dhe sa e vështirë është kjo mund të ilustrohet me realitetin, të cilin po e jetojmë sot. Në luftën në Gaza, Izraeli është pa kurrfarë dyshimi duke kryer krime kundër njerëzimit, duke vrarë mbi 30 mijë njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra dhe fëmijë; çdo i treti i vrarë nuk i ka mbushur 18 vjet. Numri i fëmijëve të cilët po vdesin prej urisë dëshmon për rezultatin e një aksioni të paramenduar të ushtrisë izraelite për të penguar depërtimin e ndihmave humanitare, të ujit të pijshëm dhe benzinës e naftës për të lëvizur makinerinë. E, megjithatë, është pjesë e debatit juridik sot se a është apo jo gjenocid kjo që bën Izraeli në Gaza, në përgjigje për pogromin e Hamasit kundër civilëve hebrenj më 7 tetor të vitit të kaluar.
A është ndëshkimi kolektiv i palestinezëve në Gaza gjenocid, është përgjigjja juridike të cilën Afrika e Jugut, si paraqitëse e pyetjes, e pret nga Gjykata e Hagës?
Për ata që mendojnë se Kosova ka gjasa të fitojë një rast juridik në Hagë, një krahasim i thjeshtë: në Gaza brenda një muaji të luftës më 2023 janë vrarë më shumë civilë sesa gjatë rrethimit trevjeçar e gjysmë të Sarajevës dhe gjatë tërë luftës së Kosovës.
4.
“Cui bono”, kjo është pyetja e së drejtës romake, e cila mund të ndihmojë dyfish në këtë shkrim. Do të thotë, kujt i shërben një gjë e tillë. Pra, çfarë do të ishte vlera e shtuar e një procesi që do të dëshmonte se është kryer gjenocid në Kosovë (me gjasa gati inekzistente për të fituar) karshi një gjykimi ekzistues me të cilin shteti i Serbisë i Slobodan Milosheviqit ka marrë dënimin e akteve, që janë krime kundër njerëzimit. Shteti i Serbisë, kur ka vrarë civilët shqiptarë në Abri, te Ferronikeli e në Reçak, ka kryer krime kundër njerëzimit. Dhe për këtë është dënuar me bombardime të NATO-s, të cilat kanë parandaluar një veprim të mundshëm të gjenocidit. Edhe sot mund të bëhet ndërlidhja mes krimeve dhe përgjegjësisë së shtetit serb.
Por, “Cui bono” është pyetja që mund të bëhet edhe për sulmin ndaj Gj. Bojoviqit. Çfarë fitohet me sulmin ndaj personit, nacionalitetit apo vendit të tij të punës, madje duke përdorur një deklarim të tij, që është krejtësisht me vend?/ Koha.net