Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me grupin kriminal që u godit sot në Itali, që solli arrestimin e disa shqiptarëve.
Mësohet se nga Prokuroria Publike Sondrio janë lëshuar 12 masa sigurie, 6 në burg, 5 arrest shtëpie dhe 1 detyrim paraqite për persona me kombësi shqiptare, rumune, italiane dhe domenikane.
Ky grup është përgjegjës për transportimin dhe shitjen e sasive të konsiderueshme të kokainës në Livigno të destinuara për konsumatorët vendas dhe turistët e shumtë të tërhequr nga atraksionet e njohura të skive. Në total, rreth 40 persona u identifikuan si blerës të kokainës, jo vetëm për përdorim personal, por edhe për ta rishitur atë.
Droga e quajtur “bresaola” në telefon, droga shitej në makinë në zona të izoluara të Livignos, sipas mediave italiane.
Për të mos ngjallur dyshime dhe për të shmangur kontrollet, personat përgjegjës transportonin dhe shisnin drogën në prani të fëmijëve, e nga ana tjetër, disa nga të dyshuarit mburreshin në mediat sociale, duke mbajtur armë e duke treguar para cash.
Anëtarët e familjeve shqiptare të Livigno-s, si dhe narkotrafikantët vendas dhe të huaj që u shërbenin, u zbuluan se të gjithë ishin të integruar mirë në strukturën socio-ekonomike të Livigno-s, pasi ushtrojnë profesione, madje edhe të paguara mirë si në Livigno ashtu edhe në Zvicër, si punëtorë ndërkufitarë.
Organizimi i furnizimit me kokainë drejtohej nga një i arratisur shqiptar 26-vjeçar me origjinë nga Shkodra, i cili për shkak të rrjetit të tij të marrëdhënieve të lidhura ngushtë me mafian shqiptare, arriti që edhe në arrati të aktivizonte kanalet e furnizimit me kokainë, të degëzuara në Itali dhe Evropë.