Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai tha se procesi i dialogut në Bruksel, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, është mekanizmi i vetëm që Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet.
Gjatë një konference për media në Vjenë, së bashku me homologun e tij austriak, Alexander Schallenberg, kryediplomati amerikan tha se njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk iu duhet kthim prapa, por të lëvizin para dhe të integrohen në Bashkimin Evropian.
“Ne po ashtu po punojmë së bashku [me Austrinë] për të përmirësuar raportet midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm, rruga e vetme përpara.
Ne duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe përpjekje konstruktive nga të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia, për të stabilizuar raportet e tyre dhe të lëvizim drejt kësaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe të zbatojnë të gjitha zotimet e dialogut”, tha Blinken./REL
Lexoni KËTU shkrimin e plotë