Politikani serb Nikola Sanduloviç, i cili u rrah barbarisht pasi vendosi lule në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duket se është kërcënuar përsëri. Vajza e tij Klara tha në “Good Morning Albanians” se një person e ka kërcënuar sërish babain e saj përmes messenger-it.
Sipas saj personi që po e kërcënon të atin, është i njëjtë me atë që e kërcënoi më parë dhe e “tërhoqi” të dilte nga shtëpia ditën kur u rrëmbye dhe u dhunua barbarisht.
Vajza e Sanduloviç ka arritur ti bëjë foto personit që i ka kontaktuar, sipas saj ai punon te shërbimet sekrete serbe, ndaj ajo thotë se në rrahjen brutale por edhe në kërcënimin që po bëhet babait të saj, ka gisht presidenti Vuçiç.
“I thanë se do e vrasin dhe se askush nuk do e dijë varrin e tij. I thanë se kjo do ndodh shumë shpejt. Interesante është koha kur u telefonua babai im se në të njëjtën kohë Aleksandër Vuçiç ka qenë duke folur për babain tim. Burri që e kërcënoi babain tim punon te shërbimi sekret serb. Unë akuzoj drejtpërdrejt Vuçiç për torturën që iu bë babait tim”, tha vajza e Nikola Sanduloviç./Euronews/