Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan të martën në Bruksel për të diskutuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë, që është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.
Pas takimeve të ndara, kryenegociatorët u takuan gjatë ditës me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, edhe në një takim trepalësh.
Zoti Lajçak shkroi në rrjetet sociale se me dy kryenegociatorët ka rënë dakord “që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa marrëveshja do të duhet të adresohet nga udhëheqësit”.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha pas takimit se “u dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet me zgjidhjen afatgjatë dhe pastaj javën tjetër të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë një hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim i vetëm që kishte me qenë i pranueshëm për palën e Kosovës”.
Ndërsa kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç tha se javën që vjen pritet një takim i ri, ndërsa në takimin e sotëm tha se Serbia ka kërkuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Për ne, formimi i Asociacionit është vendimtar sepse zgjidh plotësisht çështjen e financimit të të gjitha institucioneve tona dhe popullit serb siç parashihet me marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshjet e tjera”, tha zoti Petkoviç.
Kjo është hera e parë që zyrtarë të qeverisë po marrin pjesë në diskutime për çështjen e dinarit serb pasi deri më tash kanë refuzuar me arsyetimin se kjo nuk është temë e dialogut që zhvillohet në Bruksel. Në takimin e muajit të kaluar nga Kosova kishin marrë pjesë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës./VOA