Të gjitha problemet, të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë lidhur me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, me anë të së cilës ndalohet përdorimi i dinarit serb, Qeveria e Kosovës do t’i adresojë me shpejtësi, thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Kurti thotë se nga takimi i sotëm i kryenegociatorëve në Bruksel pret gjëra konkrete.
Kurse, thekson se ka pasur vazhdimisht opsione të ndryshme për çështjen e dinarit.
Kurti nuk deshi të flasë për propozimet e mundshme për zgjidhjen e çështjes, pasi, sipas tij, dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës nëse ato shpalosen para kohe.
Ai, megjithatë, thotë se ky është një proces që po vazhdon, “por nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që janë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, në Bruksel po zhvillohen takime në nivel të kryenegociatorëve. Është paralajmëruar se do të bisedohet për çështjen e dinarit. Ndërsa, presidentja e Kosovës paralajmëroi dje [18 mars] se ka një pajtim për një pjesë të propozimit amerikan. A mund të na tregoni se për çfarë bëhet fjalë?
Albin Kurti: Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, si kryenegociator i Republikës së Kosovës ndodhet në Bruksel dhe atje po i zhvillon bisedimet, me ç’rast nuk e di nëse do të ketë takim trelateral apo vetëm dy takime bilaterale me ndërmjetësin evropian dhe emisarin e posaçëm [të BE-së, Mirosllav] Lajçak. Besoj se ai duhet të na njoftojë se për çfarë temash është diskutuar saktësisht dhe çfarë konkluzionesh do të mund të jenë arritur./REL
Ndiqni KËTU intervistën e plotë