-sidi education-spot_img
-2.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Artan Fuga: Kush përfitoi nga kaosi i opinionit publik?

Kryesoret

Shtresa e lartë e partiakëve komunistë e siguruan drejtimin e proceseve demokratike edhe nga fakti se opinioni publik në Shqipëri në ato vite të para të tranzicionit pas-komunist ishte shumë i dobët, i paorganizuar, pothuajse kaotik.

Është e qartë se pakënaqësia shoqërore ndaj pushtetit komunist ishte rritur dhe përhapur gjerësisht. Kjo vinte si nga gjendja ekonomike e vendit nën rrënim të plotë, ku njerëzit kishin mbërritur masivisht në gjendjen e keq-ushqimit dhe madje të urisë, por edhe sepse ata shihnin dhe ndiqnin me vëmendje ndryshimet që po ndodhnin në vendet e tjera të Lindjes. Represioni policor kishte armiqësuar gjithashtu masa të tëra njerëzish me pushtetin komunist.

Megjithatë ka vend të dallohen mirë dy gjëra që sado të lidhura, janë krejt të ndryshme nga njëra tjetra.

Në fund të viteve ’80 opinioni shoqëror shprehte pakënaqësi të mëdha kundër politikës sunduese, por ai mbetej përsëri kaotik, dhe krejt i paorganizuar. Kjo vinte sepse ndrojtja nga represioni i fuqishëm bënte që pakënaqësia të ishte më tepër e shprehur individualisht, si edhe brenda rretheve të ngushta të gjithsecilit në familjen e tij dhe brenda rrethit të miqve të vet.

Organizatat shoqërore ekzistuese që mund ta organizonin dhe ta strukturonin këtë opinion shoqëror ishin në duart e komunistëve. Kurse as nuk bëhej fjalë që të kishte pasur organizime të tjera të pavarura.

Aty nga fillimi janarit 1990, duke mbështetur një thirrje që mbeti enigmatike dhe që asnjëherë nuk u zbulua as se kush e formuloi dhe as se si u përhap u kërkohej banorëve të Tiranës që në mbrëmje të dilnin në shesh dhe në bulevardin kryesor të kryeqytetit, në formë shëtitjeje, por që do të konsiderohej si një manifestim i heshtur proteste. Në fakt, tradicionalisht, në mbrëmje në atë hapësirë banorët kryeqytetas shëtisnin në mënyrë masive. Nga kjo anë do të krijohej një pikëpyetje e madhe: Ishin ata njerëz të qetë që shëtisnin në punë të tyre, apo protestues të heshtur?

Kjo pyetje nuk mori kurrë përgjigje. Por, ishte nga ato raste kur fakti social paraqitet qartë. Në atë masë njerëzish nuk kishte as liderë, as grupe, as slogane, askush nuk dinte se kush ishin të tjerët, përse ata ishin aty. Kishte thjesht një turmë të pastrukturuar dhe të heshtur.

Kështu ishte e gjithë shoqëria shqiptare e kohës. Opinioni shoqëror ishte i pakënaqur, por amorf. Ishte pikërisht kjo gjendje amorfe dhe e dobët që e ka shoqëruar përgjatë gjithë kohës, e cila u dha rolin kryesor në ndryshimin social partive politike. Shoqëria e re nisi nga partitë politike, dhe më së pari nga partia komuniste. Kush ka iniciativën e parë, nëse nuk e dorëzon, ka gjithmonë superioritet mbi të tjerët!

Duke shprehur këtë gjendje faktike, në një nga librat eseistikë të tij, Ismail Kadare do të shkruante: “Gjithçka ishte midis ëndrrës dhe realitetit, secili mund të bënte interpretimet që dëshironte. Sepse gjithkush kishte të drejtë për ta pyetur fqinjin e tij: Cili je ti, me cilin flamur ti je radhitur, shoh fytyrën tënde apo një maskë që të mbulon fytyrën, çfarë roli luan ti në të gjithë këtë dramë”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit