-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Agron Gjekmarkaj: Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë po Shqipninë e kemi bashkë! Gëzuar

Kryesoret

Nga greqishtja antike ‘pascha’ e pak më përtej me rrënjë tek aramaishtja ‘pasah’ që do të thotë ‘të kalosh përtej’ ose ‘kalimi’, merr jetë një simbol i madh i njerzimit, festa e Pashkës. Hebrenjtë e lidhin me kapërcimin e Detit të Kuq, ikjen nga robëria e Egjiptit, ndërsa të krishterët me triumfin e jetes mbi vdekjen, ngjalljen e Jezu Krishtit. Nesër është radha edhe e katolikëve shqiptar për të besuar, medituar, reflektuar apo lutur më shumë.

Më ngjan se si në asnjë vend tjetër përgjatë shekujve, ‘vdekja’ dhe ‘ngjallja’ e katoliçizmit nuk ka qenë më përjetim i doktrinës sesa në Shqipëri. Lindja, martirizimi, agonia e ringjallja po njësoj. Sa të shumtë ë bënë Udhën e Kryqit me kurorën plot ferra shtrënguar ballit.

Shekujt e kanë sulmuar Krishterimin në vendin tonë si askund tjetër, një goditje e dyfishtë mbi të dhe njëkohshëm mbi indin kombëtar shpesh të lidhur me të. Nën trysni kohërash rrudhej. Ata, malet merrnin. Kryqi i drunjtë me vete u printe. Në të skalitur emrat arbëror, Progon, Gjergj, Gjon, Aranit, Skura, Span e shumë e shumë të tjerë. Etërit shpirtëror në ballë të shtegut si në ‘valixhen diplomatike’ të Quaronit, asketik e biblik.

Kur gjuha duhej të bekonte identitetin shfaqej Pal Engjëlli dhe nga keshtjellat e qëndres së Kastriotit lëshonte kumtin ‘Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit’. Kur kaq bëhej e pamjaftueshme, prifti shkodran Marin Barleti u linte të vetëve librin e shenjtë të vetëdijes arbërore, atë që u bë ADN-ja e Rilindjes Kombëtare ‘Historinë e Skenderbeut’. Ne e patëm tonin, Europa e njohu gjithmonë për të vetin. Një simbiozë jetëdhënëse, mes nesh e kontinentit të vjetër.

Gjon Buzuku ‘ensëh dashunit sëh botësë sanëh’, shkruante Mesharin e gjuhës shqipe si një ringjallje pas epopesë së mbyllur dhe Kryezotit mbetur pa varr. Me 22 Janar 1622, Ipeshkvi e shkrimtari Pjetër Budi i dhuron ‘Doktrinën e Kërshtënë’, Biblioteks së Vatikanit. Pak më vonë mbi lumin Drin iu bë pusi teksa rrekej të ringjallte arbërorët në vetëdije e kryengritje.

Një tjetër arbër me zhgun, me 18 Dhjetor 1685 në Padova botonte ‘Çeta e Profetënve’ , librin e parë origjinal të prozës shqipe. Por, teksa shqipja dhe profetnit e tij sulmoheshin nga e errta botë otomane, ai mejtoi të shndërrohej edhe në prijës lirie për të mbetur po ashtu pa varr në Prishtinë.

Kur nata ishte në mes, gjuha dhe bëmat duhej të mbërrinin në agim. Ipeshkvi i Zadrimës, Frang Bardhi e ndezi qiriun e dritës me ‘Apologjinë e Skenderbeut’ dhe një fjalor të shqipes. Ndër qela me dritë të zbehtë pishe mësohej shqip, kohë pas kohe, shekull pas shekulli. Me porosi të Papa Albanit me gjak arbëror, Imzot Vinçens Zmajeviçi mbledh ‘Kuvendin e Arbërit’ në Merqi të Lezhes, ishte 14-15 Janari i vitit 1703.

Leonardo De Martino, Pjetër Zarishi po në Zadrimë vunë themelet e ‘Qarkut Katolik Kulturor të Veriut’, prej kah doli poeti kombëtar At Gjergj Fishta, At Shtjefen Gjeçovi e shumë të tjerë bartës të letërsisë, shkollave, revistave, përpjekjeve për shtet formim e emancipim kombëtar se ‘Shqipnia u ba, tash duhen ba shqiptarët’. Veçmas e merr nderin Abat Preng Doçi dhe shoqëria e tij ‘Bashkimi’ me alfabet e abetare. Në të tjera vazhda. Dom Ndre Mjeda e Dom Ndoc Nika, Ambroz Marlaskaj si vellezër të tjerë .

Me ardhjen e komunizmit, barra e rënde prapë mbi shumë syresh ra, u kërkua prej tyre shembulli i martirizimi, nuk u shmnagën Anton Harapi, Lazer Shantoja, Vinçens Prendushi, Ndre Zadeja, Gjon Shllaku, Bernardin Palaj, Pal Dodaj, Mati Prenushi, Nikollë Mzreku e 63 klerik të pushkatuar shkrimtarë, shkencëtarë, albanologë, filozofë e prelatë të besimit.

Kush prej tyre mbeti gjallë e kaloi jetën në burgjet e komunizmit. Ndoshta për këtë duhet lexuar ‘Rrno vetëm për me tregue’ dhe ‘Françeskanët e mëdhaj’ të At Zef Pllumit, sesi katoliçizmi e bota shqiptare u ndërthuren me njëri-tjetrin edhe në bashkohësi duke përsëritur kohët e vjetra.

Ky përkujtim i shkurtër e plot mungesa është vlerë për të gjithë, për historinë e mbarë kombit shqiptar. Bash në vigjilje të ringjalljes, në epokë lirie ku na pëlqen pa masë të themi me zë të lartë e të shkembejmë thagmën e At Gjergj Fishtës, ‘vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë po Shqipninë e kemi bashkë’. Në vigjilje të Pashkës, kujtojmë një pjesë themelorë të historisë shqiptare ku besimet e mëdha janë muret e asaj ngrehinë që e quajmë Atdheu ynë.

Harmonia, forca jonë emancipuese.

Pashkë të bardha.

Nënë Tereza lutu per ne.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit