Gjykata e Posaçme vendosi dje masat e sigurisë për tetë ish-drejtorët dhe funksionarët e Bashkisë së Tiranës, të hetuar për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera. Gjykata la në burg tre ish-drejtorët dhe për pesë punonjës vendosi detyrim paraqitje.
Hetimi ndaj tyre nisi kryesisht nga SPAK, dhe më pas u bashkua me kallëzimin që kreu Belind Këlliçi në maj të vitit të kaluar për shkelje të barazisë në tendera.
Hetimi zbuloi se ish-drejtorët, i Ujësjellësit, Redi Molla, i IKMT-së Mariglen Qato dhe Taulant Tusha që ndodhej në burg me masë të dytë sigurie kishin favorizuar në së paku 11 procedura tenderimi kompaninë “5D Construction”, e cila rezulton dhe me dy emra të tjerë.
Sipas SPAK, kjo kompani është e regjistruar në emra të tjerë, lidhje miqësore dhe shoqërore e të dyshuarve por që në të vërtetë pronarë të saj janë Qato dhe Molla. Mes emrave që drejtonin kompaninë por fiktivisht është biznesmeni Nestor Muhametllari, që ndodhet në detyrim paraqitje. SPAK dhe BKH zbarkoi në shtëpinë e tij duke gjetur prova.
Mes materialeve që i janë sekuestruar është edhe një bllok ku mbante shënime mbi tërheqjet bankare, të gjitha pagesat duke iu referuar personave të shkruar me emrin (R) dhe me emrin (M).
Gjithashtu sipas dosjes janë përfituar të dhëna nga këqyrja e dokumenteve të sekuestruara në ambientet e shoqërisë “5D Konstruksion” si dhe nëpërmjet akteve të ekspertimit teknik kompjuterik.