Detaje të reja janë dhënë nga policia në lidhje me vrasjen me thikë të 18-vjeçarit Aurelio Dervishi mbrëmjen e 31 marsit.
Ngjarja ka ndodhur tek rrethi i Shkozës, ku i riu pas një konflikti është goditur me thikë në kraharor në një sherr ku janë përfshirë dy grupe. Policia bën me dije se autorët e krimit janë 5 persona, ende në kërkim.
Në dëshminë e dhënë për policinë, shoferi i automjetit tip “Audi” ku udhëtonte viktima, është shprehur se nuk i njihte autorët. Ai ka treguar se personat që ndodheshin në makinën tjetër i kanë thënë “Pse na shikoni?!”.
Nga të dhënat paraprake mësohet se agresorët i kanë bërë shenjë makinës, ku viktima Aurelio Dervishi ishte pasagjer, që të ndalonte, por shoferi nuk është bindur.
Sipas të dhënave paraprake, ata janë konfliktuar fizikisht dhe një prej të rinjve ka qëlluar me thikë në gjoks 18-vjeçarin. Më pas të rinjtë dyshohet se janë larguar në drejtim të Unazës Lindore me një mjet tip ‘Tiguan’.
‘Ça ke që shef’/ 18-vjeçari u vra me thikë në kraharor, shoku tregon si nisi sherri
“Më datë 31.03.2024, rreth orës 21:50, tek rrethi i Shkozës, si pasojë e një konflikti të çastit mes disa shtetasve që lëviznin me dy automjete, (të cilët më pas janë konfliktuar fizikisht me mjete prerëse), është goditur me mjet prerës shtetasi A. D., 18 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes” thuhet në njoftimin e policisë.