Ditën e sotme, opozita ka zhvilluar një protestë te Bashkia e Tiranës. Në këtë protestë nuk kanë munguar tensionet mes policisë dhe protestuesve nga Rithemelimi, të cilët kanë goditur me vezë godinën e bashkisë. Ish-rivali i Veliajt për bashkinë e Tiranë, Belind Këlliçi tha se protestuesit do ta nxjerrin nga zyra.
“I bëj thirrje Erion Veliajt, arrestohesh apo jo ky nuk është problemi ynë, liro zyrën, hajdut i pronave publike të Tiranës, bandit. Ti me organizatën tënde kriminale 5D terrorizove qytetarët, ku e ke shefin e shtabit elektoral Taulant Tusha, ku e ke Redin Mollën, Mariglen Qaton, ku do ta kesh Heron Rrapon shumë shpejt?
Ku e Eglantina Zëren? Ku jeni more banditë që nuk keni lënë taksë dhe tender pa vjedhur. Erion Veliaj do të mbash përgjegjësi edhe për Ardit Gjoklajn. E kemi amanet dhe do ta çojmë deri në fund. Erion, ku e ke inceneratorin e Tiranës?” tha ai.
Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga radhët e PD kërkoi mbledhje urgjente të këshillit.
“Po kërkojmë një detyrë që na ka ngarkuar populli që përfaqësojmë, çojmë kërkesë zyrtare për mbledhje urgjente Këshillit. Kur ta mendojë Këshilli, në momentin e parë të mundshëm, ta protokollojmë.
Është i firmosur nga dhjetëra anëtarë të Këshillit, të gjithë të zgjedhur nga populli, përfaqësues dhe po kërkojmë që këta përfaqësues të votuar dhe që përfaqësojnë njerëzit, të hyjnë në bashki dhe të shkojnë në protokoll, të protokollojnë shkresën dhe të firmoset siç duhet dhe të dalin e të shpjegojnë cila është kërkesa që ne po bëjmë” tha ai.