Pas 14 muajsh bllokim në sirtarët e Kuvendit, shumica socialiste në fund ka pranuar kërkesën e opozitës për të çuar në seancën plenare të ditës së enjte çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, ku do të vendoset nëse do t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi pajtueshmërinë. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se për kaq muaj socialistët u bënë mburojë duke shkelur ligjin për të shpëtuar mandatin e Xhaçkës.
Pjesë nga debati në Këshillin e Mandateve
Gazment Bardhi: I shkon apo jo Kushtetueses raporti i Këshillit të Legjislacionit, keni dalë nga dega në degë. Por të vetmen gjë që jemi mbledhur nuk po e diskutojmë. Dy janë çështjet. Kemi një vendim të kushtetueses që kemi detyrë ta zbatojmë. E duam apo jo konkluzionin. Kemi detyra ta zbatojmë.
Dhe ai vendim na thotë se kuvendi duhet të dërgojë çështjen për shqyrtim në themel në Kushtetuese. Prandaj këshilli i rregullores u mblodh kot, nuk diskutuam gjë për thelbin, u provua ajo që ne thamë që ju e sollët këtu për ta vonuar. Këshilli ka detyrë t’i rekomandojë seancës plenare dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo duhet të jetë vendimmarrja konsensuale.
Besoj se të gjithë bashkë, 10 anëtarët, ta çojmë të enjten në Kuvend në seancën plenare, ta përfshijnë në seancën e parlamentit. Ne duhet t’u rekomandojmë deputetëve dërgimin e çështjes në Kushtetuese si e vetmja rrugë për zbatimin e vendimit të vetë Gjykatës Kushtetuese.
Lindita Nikolla: Patjetër çështja do të çohet për votim në seancën plenare.
Gazment Bardhi: Nuk mund të talleni kështu, ne ju thamë ta dërgojmë në seancë plenare. Këmbëngulët që duhet të mblidhet këshilli, kush është konkluzioni i mbledhjes së sotme? Cfarë do i propozojmë seancës? Raportin që do të më paraqisni brenda ditë së mërkurë. Cili është qëndrimi juaj? Cfarë do të bëni me seancën, apo akoma nuk keni marrë telefonatën nga Edi Rama?
Klotilda Bushka: Do i propozojmë seancën plenare për dërgimin e çështjes në seancën.
Gazment Bardhi: Pra ju duhet edhe 48 orë për të kuptuar a e ka lëshuar apo jo Edi Rama, Olta Xhaçkën.
Lindita Nikolla: Këtu mbyllet mbledhja.
Vendoset fati i Xhaçkës, debate te këshilli, Bardhi: U bëtë mburojë