Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Prokuroria dyshon se ka kopjuar pa autorizim të dhënat e sistemit TIMS. Muça dyshohet se shkarkoi informacionet e paautorizuara duke përdorur pinin e një punonjëseje.
Gjatë marrjes në pyetje në akuzën paraprake, Muça ka mohuar kryerjen e veprës penale, pra kopjimin e të dhënave.
Ervin Muça pretendon se nuk ka qenë në zyrë në rrugën ‘Mine Peza’ pranë Komisariatit nr.3, ditën kur është bërë kopjimi i të dhënave të TIMS.
Por nga ana tjetër hetuesit kanë në dorë pamje filmike të kamerve të sigurisë në zonë që kanë fiksuar zyrtarin e Policisë së Shtetit në 2 Gusht 2023, ditën që është ndërhyrë në sistemin TIMS.
Po ashtu edhe një person tjetër ka deklaruar se Muça ka qenë në zyrë ditën ditën kur është bërë ndërhyrja.
Në sistemin TIMS ndodhen të regjistruar të gjitha hyrje-daljet jashte vendit të qytetarëve, po ashtu ka edhe të dhëna për persona që janë në kërkim, për ngjarje të rënda kriminale.