Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço deklaroi se SPAK po rrethohet gradualisht nga grupime të cilat duan t’i prishin punë, ta intimidojnë, kërcënojnë dhe pse jo, edhe të bëjnë atentat ndaj disa prokurorëve dhe gjyqtarëve. Nuk foli me emra konkretë, por theksoi se indiciet kanë qenë.
“Para pak kohësh, një nga funksionarët e lartë të BKH-së ndaloi në gardhin e jashtëm të SPAK një person që kishte disa kohë që fotografonte dhe mbante shënime. Kush hynte, kush dilte, targa, prokurori, gjyqtari, etj, etj.
E morën me njësinë e posaçme të mbrojtjes. E çuan në Komisariatin nr.3. Ai pranoi deri diku që paguhej, por nuk kishte bërë vepër penale ende sepse duhet ta lidhnin me dikë, por nuk tregoi emra. Kjo nxjerr pikëpyetje shumë të madhe: Kush mund të jetë pas këtyre njerëzve që fotografojnë godinën e SPAK dhe prokurorët.
Po ju ndjekin familjarët në disa vende të Europës, deri në kushërinj të dytë. Po ju bëjnë presion që prokurori i SPAK të mos arrestojë një person apo tjetër, që ishin për t’u arrestuar. Dhe janë vonuar në arrest. Janë biznesmenë, edhe politikanë. Edhe i kanë intimiduar, edhe i kanë vënë në siklet shumë të madh me familjarët e tyre”, vijoi eksperti dhe profesori Ervin Karamuço.