Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj zëdhënësit të Hamasit – grupit palestinez që është shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian – dhe udhëheqësve të njësitit për dronë të grupit, tha Departamenti amerikan i Thesarit.
Edhe Bashkimi Evropian ka vendosur njëkohësisht sanksione ndaj Hamasit, tha Thesari.
Sanksionet amerikane kanë shënjestuar Hudhayfa Samir ‘Abdallah al-Kahlut, i njohur edhe si “Abu Ubaida”, i cili është zëdhënës i Brigadës Al-Kasam – krahut ushtarak të Hamasit në Gazë – që nga viti 2007, tha Departamenti amerikan i Thesarit.
Sanksionet po ashtu kanë shënjestuar William Abu Shanab, komandant i njësisë al-Shimali, me seli në Liban, Bara’a Hasan Farhat, i cili është ndihmës i Abu Shanabit dhe është komandanti në njësinë al-Shimali, si dhe ndaj Khalil Muhammad ‘Azzam, një zyrtar i inteligjencës i Hamasit.
“Veprimi i sotëm i përbashkët përforcon përqendrimin tonë të vazhdueshëm, kolektiv të pengimit të aftësisë së Hamasit për të kryer sulme të mëtejme, përfshirë në luftën kibernetike dhe në prodhimin e dronëve”, tha Brian Nelson, nënsekretari për terrorizëm dhe financim të inteligjencës në Thesarin amerikan.
Thesari amerikan u bëri thirrje shteteve partnere dhe aleate që të vazhdojnë “të shënjestrojnë rrjetet e Hamasit, kudo që ato operojnë, përfshirë edhe në domenin kibernetik, tha Nelson.
Sanksionet nënkuptojnë që të gjitha pronat dhe interesat që kanë personat e shënjestruar në SHBA do të bllokohen./REL