Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përmes një postimi në faqen e tij facebook e ka publikuar rezolutën që Kuvendi i Kosovës ka miratuar për Luginën e Preshevës.
Kamberi tha se kjo rezolutë i është dorëzuar dy javë më parë kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe uron që një rezolutë të tillë të miratohet edhe në Kuvendin e Shqipërisë.
Postimi i Kaberit
Kjo është Rezoluta që Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar për Luginën e Preshevës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, pa dallim, ka miratuar së fundmi në tërësi Rezolutën për Luginën e Preshevës, të cilën, në cilësinë e deputetit, e dorëzova në takimin e zhvilluar me Kryetaren e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, dy javë më parë.
Përtej dallimeve të brendshme politike, deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës u bashkuan njëzëri për të dëshmuar edhe një herë se Lugina e Preshevës zë një vend të veçantë në institucionet e Republikës.
Si përpilues dhe iniciues i kësaj Rezolute, në emër të të gjithë shqiptarëve të Luginës, shpreh mirënjohjen time ndaj Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të gjitha grupeve parlamentare për mbështetjen e dhënë.
Uroj që kjo Rezolutë të miratohet edhe në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Lugina e Preshevës duhet të jetë domosdoshmërisht pjesë e agjendës së përbashkët Kosovë – Shqipëri.