-sidi education-spot_img
-1.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Ëndrra për Kalifat, rreziku që i kanoset diasporës nga “islami” i fanatikëve

Kryesoret

Si është e mundur që shumë prindër shqiptarë në diasporë janë më të zellshëm në dërgimin e fëmijëve të tyre nëpër kurse për dogma fetare se sa në mësim plotësues në gjuhën shqipe? Si është e mundur që idhuj të të rinjve të jenë do autorë fanatikë arabë që kanë shkruar libra në shekullin e 13-të apo “imamët e TikTokut” dhe jo figurat e historisë kombëtare shqiptare? Dhe si është e mundur që imamë që sorollaten nëpër diasporë mbajnë lidhje me fanatikë të rrezikshëm të cilët janë nën mbikëqyrje të autoriteteve të sigurisë në Gjermani, Zvicër e gjetiu. Sipas mediave zvicerane njëri nga këta fanatikë që ka predikuar në një “xhami shqiptare” në Basel ka mbajtur kontakte me një pilot që më 11 shtator 2001 sulmoi SHBA-të.

Kur në fillim të marsit një 15-vjeçar theri me thikë dhe për pak ia mori jetën një hebreu në Zürich, brenda pak orësh së paku 10 miq m’u drejtuan me pyetjen e njëjtë: a mos di gjë për sulmuesin? Kush është? Nga vjen? Në të gjitha këto pyetje jehonte frika mos atentatori mund të ketë ndonjë lidhje me botën e komunitetit shqiptar. Mediat zvicerane shumë shpejt njoftuan se atentatori është një tinejxher nga Tunizia, i rritur pjesërisht në Zvicër.

Tri javë pas krimit, mediat zvicerane zbuluan se atentatori ka ndjekur një kurs në një të ashtuquajtur “xhami shqiptare” në Schwamendingen, një lagje e Zürichut. Në një fotografi të shkrepur në janar të këtij viti atentatori shihet gjatë një ceremonie ku pjesëmarrësit e një kursi marrin nga një çertifikatë. Në kurs ishte mësuar për një autor arab të shekullit të 13-të. Vetë atentatori i ardhshëm në fotografi është duarbosh, me gjasë nuk ka marrë çertifikatë.

Ndonëse imami i kësaj xhamie përshkruhet si i hapur dhe larg çdo lidhjeje me mendësi radikale, megjithatë duhet shtruar disa pyetje: pse kjo “xhami shqiptare” lejon që një palestinez me origjinë nga Siria të organizojë kurse fetare? Pse në këtë xhami ka mbajtur ligjëratë Stef Keris, të cilin shërbimi sekret gjerman e konsideron si pjesë të spektrit selafist? Stef Keris, i lindur në Athinë, është konvertuar në islam. Shpesh fanatikët më të rrezikshëm janë konvertitët.

Sipas gazetës zvicerane “Aargauer Zeitung” Keris bashkëpunon me selafistin gjerman Marcel Krass, videot e të cilit para disa vitesh patën ndikuar në radikalizimin e xhihadistëve të bandës terroriste “IS” në Winterthur afër Zürichut. Nga Winterthur në Siri patën shkuar edhe disa trutharë shqiptarë. Në profilin në instagram të “xhamisë shqiptare” në Schwamendingen është postuar edhe një citat i Marcel Krass. Si është e mundur kjo?

Pas raporteve kritike në mediat zvicerane, shoqata e organizatave islame në Zürich, ku vegjetojnë edhe ca shqiptarë, ka tentuar të viktimizohet duke u ankuar për “racizëm në Zvicër”. Pas krimit në Zürich, imamë e xhami janë distancuar me shpejtësi. Kjo është me siguri punë e mençur, por prapë: si është e mundur që “xhamitë shqiptare” të shndërrohen në vatra ku sillen e llomotisin aktivistë fanatikë të cilët fenë islame e përdorin vetëm si vegël për agjenda radikale? Si është e mundur që në këto xhami të zhvillohet një jetë pothuaj paralele ku besimtarët më shumë interesohen për problemet në Lindjen e Afërt se për integrimin në shoqërinë zvicerane, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve? Kush i kontrollon këto xhami? A i mbikëqyrë ndokush?

A japin imamët përgjegjësi për atë që ndodhë në këto xhami? Si është e mundur që shumë prindër shqiptarë janë më të zellshëm në dërgimin e fëmijëve të tyre nëpër kurse për dogma fetare se sa në mësim plotësues në gjuhën shqipe? Si është e mundur që idhuj të të rinjve të jenë do autorë fanatikë arabë që kanë shkruar libra në shekullin e 13-të dhe jo figurat e historisë kombëtare shqiptare? Këto janë zhvillime shqetësuese me të cilat nuk po merret asnjë institucion i Kosovës. Dhe kush flet për këto probleme rrezikon të goditet nga fanatikët me fetfa digjitale.

Megjithatë, duhet folur e shkruar, sepse edhe diasporës shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës etj., i kanoset një rrezik direkt nga “islami” i fanatikëve.

Në fund të marsit mediat gjermane njoftuan për një takim në Hamburg të organizuar nga Hizb ut-Tahrir. E themeluar më 1953, kjo organizatë synon krijimin e një kalifati global. Në Gjermani Hizb ut-Tahrir është e ndaluar. Supozohet se në takimin e Hamburgut morën pjesë gati 400 njerëz. Para tyre, sipas mediave gjermane dhe zvicerane, foli Marcel Krass, një nga figurat e rëndësishme në skenën e selafistëve, sipas shërbimit sekret të landit gjerman të Baden Württembergut.

Korrikun e kaluar zyra qendrore për media e Hizb ut-Tahrir ua shpjegonte lexuesve acarimin e gjendjes në veri të Kosovës. Aty thuhej se pas “hapjeve osmano-islamike” të Ballkanit në shekullin e 15-të, islami u përhap në këtë rajon dhe “shqiptarët, të cilët jetojnë në Shqipëri e Kosovë, e pranuan islamin”. Kaq e thjeshtë është historia sipas Hizb ut-Tahrir.

Natyrisht nuk mund të thuhet me ton përgjithësues se islami është pranuar nga shqiptarët vullnetarisht. Nuk mund të heshtet fakti se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve janë të krishterë. Nga Hizb ut-Tahrir pushtimi osman quhet “hapje”, thua se ballkanasit vullnetarisht hapën portat për të pranuar hordhitë osmane dhe fenë e tyre. Edhe sa i përket fundit të pranisë së Perandorisë Osmane në Ballkan, shpjegimet e Hizb ut-Tahrir (kjo organizatë njihet edhe me shkurtesën “HUT”, që në shqip ka edhe një domethënie tjetër), janë marrëzisht të rrezikshme dhe antihistorike.

Thuhet se Kosova mbeti deri më 1912 pjesë e Perandorisë Osmane, por u nda nga shteti islamik në rrjedhën e konflikteve separatiste nacionaliste, të cilat gjithandej në Ballkan u nxitën nga Britania e Madhe. Gjuha perverse e kësaj organizate islamiste kulmon me këtë konstatim: “Duhet tërhequr vëmendjen se Kosova ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe popullsia e saj para shumë kohësh u konvertua në islam. Sikur të mos u mungonte myslimanëve kalifati, i cili i mbron ata nga të këqijat e kolonialistëve të pafe, atëherë kjo çështje nuk do të ishte në duart e fuqive kolonialiste e të pafe, të cilat sot sundojnë këto vende, pasi që flamuri i islamit pati valëvitur mbi Ballkan dhe Kosovë”.

Këso “analizash” nuk janë të rastësishme. Ato, të shkruara në gjermanisht, u drejtohen edhe të rinjve shqiptarë të diasporës, të cilët kanë vështirësi të lexojnë e kuptojnë gjuhën shqipe. Predikues si Marcel Krass janë yje të të rinjve në TikTok dhe media të tjera asociale. Sipas mediave zvicerane, Marcel Krass ka predikuar më 2018 në xhaminë e qytetit të Baselit “Peace & Blessing” të imamit Ardian Elezi. Emri i tij gjendej atëbotë në listën e personave që autoritetet i mbikëqyrin për shkak të rrezikut të radikalizimit.

Ndërkohë xhamia është mbyllur, ndërsa Elezi, sipas profilit të tij në Facebook, ende jeton në Basel. Më 2018 Elezi u përmend nga mediat zvicerane për shkak të disa deklaratave që konsideroheshin nxitje e urrejtjes, për shembull citohet të ketë thënë se homoseksualizmi është “kancer kundër moralit” dhe “sëmundje”. Me këto fjalë ai mallkonte një marsh në Prishtinë për të drejtat e pakicave seksuale. Sipas mediave zvicerane, Marcel Krass, të cilin Elezi e ka pritur në xhaminë e tij në Basel, ka qenë në kontakt me njërin nga pilotët që më 11 shtator 2001 sulmuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Se çfarë mendësie patriarkale përfaqëson ky imam që për nga emri duket shqiptar, tregon një postim i tij i ditëve të fundit në Facebook ku i falënderonte nënat, gratë dhe motrat “për përgatitjen e iftareve dhe syfyreve” gjatë muajit të agjërimit. Roli i gruas, sipas këtij botëkuptimi, është ai i shërbëtores që orë e çast është në shërbim të burrave. Standarde janë kërkesat histerike të imamëve të tillë për mbulimin e grave. Presioni edhe ndaj fëmijëve për të agjëruar është gjithnjë e më i madh. Ndërsa klasat më mësim plotësues për fëmijë shqiptarë mbyllen ose janë para mbylljes për shkak të mungesës së interesimit të prindërve, hapja e xhamive është dukuri gati e përditshme.

Miliona franga e euro mblidhen për të ndërtuar xhami të reja, ndonëse nuk ka qytet e fshat të madh në Zvicër pa xhami, rrjedhimisht nuk bëhet fjalë për mungesë faltoresh, qëllimi është tjetërkund: pushtimi simbolik i hapësirës publike dhe imponimi i stilit të jetesës që bazohen në “kulturën” rigjide “myslimane” të inspiruar nga vendet arabe. Po vazhdoi ky trend, një pjesë e konsiderueshme e diasporës të qenmit shqiptar do ta konsiderojë si ngarkesë dhe do të identifikohet gjithnjë e më shumë me “ymetin” global mysliman. Insistimi për t’u veçuar nga “të krishterët” është gjithnjë e më toksik.

Se ku çojnë zhvillime të tilla tregon shembulli i komunës franceze Issou. Atje një mësuese e gjimnazit mori kërcënime nga komuniteti mysliman pasi ua tregoi dhe shpjegoi nxënësve një pikturë të shekullit të 17-të. Në pikturë shiheshin gra të zhveshura. Prindërit e nxënësve akuzuan mësuesen se me këtë pikturë i paskësh lënduar ndjenjat e myslimanëve. Bëhej fjalë për pikturën “Diana dhe Akteoni” të piktorit italian Giuseppe Cesari./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit