Irani ka nisur dhjetëra dronë dhe raketa balistike drejt Izraelit.
Në mesin e dronëve të përdorur në sulmin e 13 prillit, sipas mediave shtetërore iraniane, kanë qenë dronët iranainë Shahed-136 dhe Shahed-131.
Këta dronë vetëvrasës janë përdorur prej grupeve militantëve pro Iranit, në Lindje të Mesme.
Teherani është akuzuar edhe për dërgimin e tyre në Rusi, që ajo më pas t’i përdorë në luftën në Ukrainë.
A janë dronët efektivë?
Dronët vetëvrasës Shahed-136 dhe Shahed-131, janë të lirë, mirëpo efikas, sipas ekspertëve.
Për shkak të pajisjeve që përdoren për krijimin e tyre, dhe zhurmës që lëshojnë kur nisin fluturimin, ata njihen me emra tallës si “kositëset e lëndinave” apo “motoçikleta”.
Megjithatë, këta dronë që ngjiten në lartësi të ulëta dhe shkatërrohen kur të prekin cakun, kanë dalë të jenë efektivë si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë të çmimit.
“Ata mund të bëjnë gërvishtje kur të nisen”, ka thënë Samuel Bendett prej Qendrës për Analiza Detare, me bazë në Virgjinia.
John Krzyzaniak, hulumtues në Projektin Uiskonsin për Kontrollin e Armëve Bërthamore, ka thënë se dronët iranianë, sikurse Shahed-136, “mund të bëjnë kërdi” nëse lëshohen të shumtë në numër.
Sa larg mund të arrijnë?
Shkalla e tyre operacionale dallon, mirëpo Irani deklaron se dronët Shahed-136 mund të udhëtojnë deri në 2.500 kilometra.
Kjo e ka vënë Izraelin, që gjendet rreth 1.000 kilometra larg Iranit, brenda rrezes së sulmit.
Ushtria izraelite ka thënë se Irani ka nisur rreth 170 dronë, dhe të gjithë janë rrëzuar.
Modeli tjetër më i vogël dhe më i vjetër Shahed-131, vlerësohet se mund të udhëtojë në deri 900 kilometra./REL