Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi se rajoni i Lindjes së Mesme po përballet me kërcënimin real të një konflikti në shkallë të gjerë.
Këto paralajmërime ai i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të dielën, mbledhje në të cilën Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin se po kërcënojnë paqen në Lindjen e Mesme dhe se secili prej tyre i bëri thirrje këtij institucioni që të vendosë sanksione ndaj palës tjetër.
“Lindja e Mesme është në prag. Populli i rajonit po përballet me kërcënimin real të një konflikti shkatërrues në shkallë të plotë. Tani është koha që të shtensionohet situata”, tha Guterres në mbledhjen e thirrur pas sulmeve me raketa dhe dronë që kreu Irani ndaj Izraelit.
Guterres bëri thirrje për përmbajte, duke theksuar se “as rajoni, e as bota, nuk mund të përballojë më shumë luftë”.
Por, Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin për destabilizimin e situatës në rajon.
“Maskat po bien. Irani, sponsori numër një i terrorit në botë, e ka treguar fytyrën e vërtetë si një destabilizues i rajonit dhe botës”, tha ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan.
“Maskat po bien dhe duhet të vishen dorezat”, tha ai, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që “të ndërmarrë veprime”.
Erdan i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste dhe “të vendosen të gjitha sanksionet e mundshme ndaj Iranit para se të jetë shumë vonë”.
Në veçanti ai kërkoi që të aktivizohej një mekanizëm që do t’iu mundësonte shteteve që nënshkruan marrëveshjen bërthamore me Iranin më 2015 – nga e cila Shtetet e Bashkuara u largua më 2018 – të rivendosin sanksionet ndërkombëtare ndaj Teranit.
“Ne kemi një përgjegjësi kolektive si anëtarë të Këshillit të Sigurimit që të sigurohemi që Irani të respektojë rezolutat e Këshillit dhe të ndalë shkeljet e Kartës”, tha zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood.
Ai shtoi se në ditët në vijim, SHBA-ja do të “eksplorojë masa shtesë për të mbajtur përgjegjës Iranit”./REL