Socialistët dhe demokratët vijojnë dialogun për Reformën Zgjedhore përmes mekanizmit të ri të ngritur pranë Komisionit të Ligjeve.
Takimet e këtyre tre javëve të para nuk kanë ende një rezultatet konkret. Në publik përfaqësuesi i opozitës ka artikuluar disa kërkesa që do të vendosin si propozime për t’u pranuar nga socialistët.
Më kryesorja për ta mbetet kërkesa për rikthimin e koalicioneve në modelin që ishte përpara se socialistët të bënin ndryshimet kushtetuese të Korrikut të 2020. Por Damian Gjiknuri në një intervistë për Tv Klan i pret të gjitha shpresat që kjo kërkesë të ketë ndonjë shans për t’u pranuar.
“Është një çështje e ezauruar. Komisioni i Venecias doli në konkluzionin që partitë e kanë mundësinë që të bëjnë koalicione. Formulimi i koalicioneve nuk ndikon aspak në pabarazinë e palëve në zgjedhje”, tha Gjiknuri.