Një grua është vrarë të martën në Pejë, e vrasja dyshohet se është kryer nga bashkëshorti i saj. Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar rastin duke njoftuar se vrasja ka ndodhur me armë zjarri. I dyshuari është arrestuar e në vendin e ngjarjes.
“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante. Po e presim Mjekësinë Ligjore për të marrë trupin e pajetë. Është arrestuar i dyshuari”, ka thënë Nikçi.
Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur në rrugën “Bill Clinton”. “Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugën ‘Bill Clinton’ në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës (femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Kjo është vrasja e dytë brenda pak ditëve në Kosovë. Të premten (12 prill) është vrarë me armë zjarri një 21-vjeçare në Ferizaj në Qendrën për Punë Sociale.