Komisioni Evropian (KE) kishte propozuar para rreth një viti se Bashkimi Evropian (BE) duhet të vendosë sanksione ndaj njerëzve dhe entiteteve të shpallur fajtorë për korrupsion të rëndë. Por, shumë pak është bërë në këtë drejtim.
Kur u bë i ditur ky propozim në maj 2023, shpresat ishin të mëdha se BE-ja do të kishte diçka të ngjashme si të ashtuquajturat “sanksionet Magnitsky”, të cilat zbatohen tashmë në Kanada, në Britani të Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara.
Masa të tilla ua mundësojnë vendeve t’i vënë në shënjestër biznesmenët e korruptuar dhe zyrtarët e kompromentuar.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e kishte dalë me këtë ide gjatë një fjalimi në vjeshtën e vitit 2022, nuk ka folur shumë për këtë çështje në muajt e fundit. Megjithatë, arsyeja kryesore pse ka ngecur ky propozim – siç ndodh zakonisht shumë shpesh kur bëhet fjalë për sanksionet e bllokut – është për fajin e vet shteteve anëtare dhe për shkak të nevojës për të gjetur konsensus.
Kur BE-ja e miratoi regjimin e ri të sanksioneve më 2020 kundër abuzimit me të drejtat e njeriut në gjithë botën, korrupsioni ishte hequr si shkelje e sanksionueshme.
Hungaria kishte thënë se nuk do ta mbështeste propozimin, nëse në të përfshiheshin referencat për korrupsionin, ndërsa vendet e tjera anëtare, posaçërisht Luksemburgu dhe ato të Evropës jugore, shprehën ngurrimin e tyre gjithashtu.
Kjo çështje është zvarritur nëpër grupe të ndryshme punuese të nivele më të ulëta diplomatike prej se Komisioni Evropian – grupi ekzekutiv i BE-së – e paraqiti projektligjin gati një vjet më parë në Këshillin e Bashkimit Evropian, i cili i përcakton prioritetet dhe drejtimet politike të bllokut./REL
Ndiqni KËTU shkrimin e plotë