-sidi education-spot_img
21.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

22 argumente në Kushtetuese, a do të rrëzohet ligji për tatimin mbi të ardhurat?

Kryesoret

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” konsiderohet antikushtetues dhe u padit 3 herë në Gjykatën Kushtetuese. Nismëtarët e ankimimeve vlerësojnë se ligji cenon barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, të sigurisë juridike dhe shkel konkurrencën. Në rast të mosshfuqizimit të tij nga Kushtetuesja nga juristët, kontabilistët dhe ekspertë të tjerë paralajmërohen efekte të menjëhershme, që do të ndihen që me rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë, evazion, mbyllje të bizneseve dhe emigrim të shtresës së mesme.

Përveç debateve të shumta që po shkakton zbatimi i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” te bizneset e profesioneve të lira, në Gjykatën Kushtetuese vijojnë të shtohen ankimimet për shfuqizimin e tij.

Nismës së avokatit Lulzim Alushaj, për moszbatimin e ligjit si antikushtetues, në një padi të tretë më 19 Prill depozituar në Gjykatën Kushtetuese, iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financierë, agjentë të shitjeve të pronave etj., si dhe shoqata biznesi.

Në Gjykatën Kushtetuese janë depozituar edhe dy padi të tjera për shfuqizimin e ligjit. Në muajin shkurt 2024, për herë të parë, shfuqizimi i ligjit nga Gjykata Kushtetuese u kërkua nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së.

Ndërsa në muajin mars u dërgua një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA).

Nga përfaqësuesit e 3 padive, ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” që takson profesionet e lira në norma 15 deri në 23% konsiderohet antikushtetues, pasi cenon barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës dhe shkel konkurrencën mes bizneseve me efekt rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë.

Pse kërkohet masivisht nga profesionistët e lirë të fushave të ndryshme?

Nismës së avokatit Lulzim Alushaj, për shfuqizimin nga Kushtetuesja të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” iu bashkuan rreth 151 profesionistë të lirë të fushave të ndryshme (padia u firmos nga 151 profesionistë. Në total u regjistruan 400 profesionistë të lirë në mbështetje të padisë) dhe Shoqata e Biznesmenëve Italianë në Shqipëri (A.I.I.A.) dhe Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve.

Avokat Alushaj tha për “Monitor” se arsyeja kryesore e dërgimit të kërkesës për shfuqizimin e ligjit është antikushtetutshmëria, duke marrë në konsideratë cenimin e barazisë, së profesionit, të shtetit të së drejtës apo dhe të konkurrencës.

“Ligji i cituar më sipër është antikushtetues dhe për këtë arsye i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetues me kërkesën urgjente të pezullimit të efekteve të nenit 12, pika 1, nenit 24, pika 2, nenit 69, pika 1, shkronja “dh” dhe shkronja “ë” të Ligjit nr. 29/2023 dhe nenit 4 të VKM nr. 753, datë 20.12.2023, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.

Ligjit dhe VKM-së së kundërshtuar iu është bërë një ekzaminim substancial në një Kërkesë që së bashku me provat e aktet e përfaqësimit shkojnë në 660 faqe, kryesisht janë marrë në konsideratë: Cenimi i parimit të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit;

Cenimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe profesionit;

Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike – Parimet e  sigurisë juridike dhe mbrojtja e pritshmërisë së ligjshme; Paragjykimi i hyrjes në profesionet e lira dhe rëndësinë e vazhdueshmërisë së profesioneve të rregulluara (ose jo); Cenimi i drejtpërdrejtë i konkurrencës dhe ngritja artificiale e çmimeve të shërbimeve, arsyetimi mbi pasojat që sjell aplikimi i Ligjit dhe pezullimin e pjesshëm të tij etj.”, nënvizon avokat Alushaj.

Ai tha se në kërkesën e depozituar nga të gjithë kërkuesit arsyetohen përplasjet reale që ky Ligj sjell në krahasim me disa të drejta kushtetuese që individët dhe subjektet kanë dhe duhen mbrojtur.

“Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha elementet e duhura dhe lartësinë e rolit kushtetues që të pezullojë efektet e disa neneve të këtij Ligji dhe t’i shfuqizojë ato si në kundërshtim me Kushtetutën, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, GJEDNJ, GJED”, pohon ai.

Argumentet e padisë së grupit parlamentar të opozitës

Për herë të parë, në muajin shkurt 2024, shfuqizimi i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” u kërkua në Gjykatën Kushtetuese nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së. Deputetja Jorida Tabaku tha për “Monitor” se nga grupi parlamentar u kërkua shfuqizimi i ligjit pasi cenon parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë para ligjit.

Sipas znj. Tabaku, ndryshimet e taksimit vijnë pas vështirësive ekonomike të ndikuara nga tërmeti i 2019-s dhe pandemisë së Covid-19.

“Ne gjykojmë se ligji që taton profesionistët e lirë ka cenuar parimin e sigurisë juridike që garantohet në Kushtetutën e Shqipërisë, ku është e sanksionuar siguria juridike që do të thotë, ndër të tjera, se qytetarët duhet të sigurohen për pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara më parë.

Kjo do të thotë që një qytetar nuk ka përse jeton me frikën se shteti mund t’i imponojë atij ndryshime të vazhdueshme që ia bëjnë të vështirë jetesën dhe zhvillimin. Në rastin konkret, vendosja e këtij tatimi mbi profesionistët e lirë dhe aplikimi i tij për këtë vit është në të vërtetë një ofertë pasigurie juridike që i imponohet profesionistëve të lirë.

Nga ana tjetër, ne kemi argumentuar në padinë tonë, që këto ndryshime vijnë në një moment ku ekonomia jonë është goditur nga tërmeti, por edhe Covid-19. Në të vërtetë, siç është paraqitur dhe në padinë tonë, ne kemi evidentuar disa raste, ku vetë qeveria socialiste ka paraqitur situatën e rënduar të biznesit për të ndërmarrë ajo disa nisma ekonomike, në ndihmë të biznesit.

Ndaj është shumë e palogjikshme që në këto kushte dhe në këto momente ku shohim që rritja ekonomike nuk është ajo e pritura dhe as afër pritshmërive, të ndërmerren masa të tilla fiskale që ngarkojnë me një barrë të rëndë fiskale profesionistët e lirë.

Së dyti, ne kemi gjykuar dhe ngritur në padi shqetësimin se këto ndryshime cenojnë parimin e barazisë përpara ligjit. Një nga shkaqet e diskriminimit lidhet edhe me gjendjen ekonomike, çka nënkupton të ardhurat që mund të gjenerojë një person fizik apo juridik gjatë një kohe të caktuar.

Kushtetuta është treguar shumë e qartë se askush nuk mund të diskriminohet për gjendjen ekonomike, përveçse kur ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive. Kjo, në rastin tonë, përkthehet në trajtimin me dopio standard të profesionistëve të lirë, në raport me bizneset e tjera.

Pasi sipas ligjit të ri, bizneseve të tjera u jepet një kohë për t’u adaptuar me një normë të re fiskale, ndërkohë që profesionistëve të lirë kjo kohë nuk i është dhënë, duke shkelur kështu barazinë përpara ligjit që është në themel të Kushtetutës.

Ky parim i pabarazisë mund ta ketë frymëzimin te Ferma e Kafshëve, por asnjëherë nuk mund të gjejë vend në një demokraci dhe shtet të së drejtës”, pohoi ajo.

Arsyet që edhe kontabilistët paditën në Kushtetuese ligjin

Edhe kontabilistët kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për rrëzimin e ligjit, pasi krijon pabarazi mes tatimpaguesve. Ankimi u depozitua më 20 Mars 2024 në Gjykatën Kushtetuese nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).

Drejtues të IKM pohuan më herët për “Monitor” se pretendimet në lidhje me shkeljet kushtetuese janë:

1.Cenimi i parimit të barazisë para ligjit;

2.Shkelja e së drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit;

3.Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike; 4.Cenimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.

Ligji i ri parashikon zbatim në dy periudha. Pas zbritjes së shpenzimeve, fitimet e të vetëpunësuarve, personave fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira nga 1 janari 2024 taksohen me normat 15% dhe 23%.

Ndërsa bizneset e tjera të vogla do të vijojnë të kenë tatim zero deri më 31 dhjetor 2029.

Për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor që u bëhet kategorive të bizneseve në padinë e depozituar nga kontabilistët kërkohet shfuqizimi i nenit 69, që përcakton përjashtimin e bizneseve të tjera nga taksimi dhe të listës së shërbimeve të profesioneve të lira që u përfshinë në taksimin e ri.

“Shfuqizimi i pjesshëm i nenit 3, paragrafi 5; nenit 12, paragrafi 1, germa “ç”; dhe nenit 69, paragrafi 1, germa “dh”, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar.

Shfuqizimi i nenit 4, paragrafi 1 “lista e shërbimeve objekt tatimi nga 1 Janari 2024” dhe i tabelës Analitike nr. 2, nënndarja 69, i VKM nr. 753, datë 20.12.2023, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për pjesën që u referohet profesioneve të Kontabilistit të Miratuar dhe Audituesve Ligjorë”, citohet në kërkesën e depozituar në Kushtetuese.

Efektet e zbatimit të ligjit që nga rritja e çmimeve deri te mbyllja e bizneseve

Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk do të marrë vendimin për shfuqizimin e ligjit nga juristët, kontabilistët dhe ekspertët, vlerësohet se efektet e zbatimit të tij do të jenë të shumta që me rritjen e çmimeve, shtimin e evazionit dhe mbylljen e bizneseve.

“Efektet janë të menjëhershme si rritja e çmimit te shërbimet, ulja e cilësisë, ulja e konkurrencës, dalja nga skema e tatimeve dhe më të vona si mbyllja e subjekteve, emigrimi i kësaj shtrese dhe humbja e interesit të brezit të ri ndaj këtyre profesioneve”, pohon avokat Lulzim Alushaj.

Deputetja Jorida Tabaku gjykon se të gjitha këto ndryshime ligjore abuzive do të shtrenjtojnë jetën e qytetarëve.

“Një shtrenjtim i kostos që vjen si pasojë e dështimit të administratës tatimore që s’mund të jetë shkaku që të vendoset një taksim i padrejtë dhe i pandershëm”, pohon ajo. Znj. Tabaku parashikon përsëritjen e rrethit vicioz të dëmshëm për ekonominë, me mbyllje biznesesh dhe shmangie të pagimit të taksave nëpërmjet shtigjeve ligjore.

“Disa do të mbyllin bizneset e tyre, duke gjetur formula të tjera si largimi nga vendi (Brain gain), disa të tjerë mund të nisin të gjejnë arnime ligjore dhe forma për t’i ikur (siç ka ndodhur le të themi kur qeveria nisi eksperimentet për biznesin e vogël), të tjerë do të hapin sipërmarrje në vende jashtë Shqipërisë, të tjerë do të rrisin çmimet e shërbimeve.

Imagjinoni një noter, në një qytet jashtë Tiranës, në Kukës ku ka dhe varfërinë më të madhe. Çmimet e shërbimeve të tyre do të rriten me dy apo tri herë dhe kjo do jetë kosto për qytetarin në qarkun më të varfër në Shqipëri.

Shërbimet do të shtrenjtojnë edhe çmimet e apartamenteve, apo shërbimeve që lidhen me noterinë e kështu me radhë. Kjo do të përkthehet në zinxhirin e shërbimeve dhe çmimeve, duke shtrenjtuar jetën për të gjithë qytetarët dhe duke inflacionuar ato çmime.

Imagjinoni një qytetar që do të duhet të paguajë më shtrenjtë për një prokurë, akt trashëgimie apo ndonjë akt tjetër noterial në shitblerje. Të gjitha kosto, në xhepin e shqiptarëve që kanë të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë dhe Ballkanin Perëndimor.

Sistemi i padrejtë i ngritur është kosto më e lartë për qytetarët, taksa të padrejta për shtresën e mesme dhe të gjitha shkojnë në buxhetin e qeverisë që shpërndahet me qoka”, thekson znj. Tabaku.

Edhe kryetari i Këshillit të Drejtimit të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar, Prof. Dr. Sotiraq Dhamo, pohoi më herët se zbatimi i ligjit do të nxisë së tepërmi evazionin.

“Bizneset do të ulin xhiron, do të deklarojnë më pak. Shumë biznese do të kalojnë në të zezë. Edhe ligji aktual që i takson profesionet e lira nga 15 deri në 23% do të lërë rrugë për evazion dhe shtim informaliteti ashtu siç ndodhi edhe me ligjin e vjetër”, pohoi ai.

Në total, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira. MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë) përfshihen në fashën e të ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit, që do të tatohen me normë 15%.

Argumentet e padisë të profesionistëve të lirë

1.Cenohet konkurrenca;

2.Cilësia e shërbimeve dhe përqendrimi i tyre në vetëm disa persona si pasojë e dobësimit të konkurrencës;

3.Efektet që sjell në marrëdhëniet që tashmë ishin krijuar si dhënës shërbimesh, duke i ngarkuar me një shtesë që i prek drejtpërsëdrejti;

4.Nuk ka një raport midis vlerës reale që kategoria e profesioneve të lira ka derdhur në buxhetin e shtetit në vitet e fundit nëpërmjet TVSH-së (20%), kontributeve dhe punësimeve që vetë këta profesionistë kanë krijuar (ka persona fizikë apo subjekte me ortak të vetëm që punësojnë persona të tjerë) dhe ku lindi nevoja e taksimit me vlera 15 – 23%;

5.Paaftësia e Drejtorisë së Tatimeve për të identifikuar ish- punëmarrës që dolën nga skema e punësimit dhe hapën NUIS, si pasojë penalizimi në tërësi i sektorit të shërbimeve;

6.Premtimi elektoral i zgjedhjeve të fundit që deri në vitin 2029 tatimi për subjektet me xhiro deri në 14.000.000 lekë do të ishte i barabartë me 0;

Argumentet e padisë të IKM dhe IEKA

1.Cenimi i parimit të barazisë para ligjit;

2.Shkelja e së drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit;

3.Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike;

4.Cenimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.

Argumentet e opozitës për efektet e ndryshimeve fiskale

1.Sistemi i ngritur nga qeveria socialiste është ai i një shteti të korruptuar që e ka kthyer buxhetin e shtetit në bankomatin personal. Sistemi i ngritur ka dy shtylla kryesore; sistemin e korrupsionit që shpërndan 40% të buxhetit të shtetit në kahun e shpenzimeve me Koncesione, tenderime publike dhe PPP-të (që kanë zë më vete).

Sistemi fiskal që është mbledhja e të ardhurave dhe arkitektura fiskale që është dekurajuese pasi barrën fiskale dhe taksat i detyron t’i paguajë shtresa e mesme dhe shumica e qytetarëve. Kjo arkitekturë fiskale vendos përjashtime tatimore për ndërtuesit (që janë njëkohësisht përfituesit e koncesioneve/PPP/tenderëve) e investimeve strategjike, ndërkohë që ngarkon me taksa nga hiçi (siç është rasti i Profesionistëve të Lirë) një grup të vogël.

2.Qeveria dhe KM i fton qytetarët të rikthehen në vend se Shqipëria ka kafe të mira dhe motin e mirë. Ka një arsye përse shqiptarët sakrifikojnë motin dhe diellin e Shqipërisë dhe ky është sistemi i kalbur dhe i korruptuar që po gërryen shoqërinë dhe xhepat e shqiptarëve.

3.Norma e informalitetit është rritur dhe asnjë nga masat e qeverisë nuk ka funksionuar. Raportet e Bankës Botërore flasin për një normë informaliteti sa 40% e ekonomisë që është me gjasë shifra më e lartë në rajon.

4.Sistemi i korruptuar dhe i padrejtë i taksimit ka krijuar një kënetë që po kalbet dhe ka rrezik të zërë Shqipërinë. Kostot e shtrenjta të jetesës do të rëndohen më shumë, sepse qeveria vendos taksa abuzive që shtrenjtojnë artificialisht jetën e shqiptarëve. Çmimi i naftës ndikohet në shtrenjtim sa nga tregu i kapur aq edhe nga taksat që zënë 60% të çmimit. Kush përfiton nga kjo? Jo qytetarët!

5.Mos mendoni që qeveria shqiptare nuk e ka të qartë. Shihni se si ajo tanimë luan me skemat për të ulur TAP, tatimin mbi të ardhurat personale, për ata që paguajnë 23%. E bën këtë lëvizje përpara zgjedhjeve elektorale, pasi do të gënjejë qytetarët që nuk po i mbitakson.

Pastaj historia përsëritet, siç ka ndodhur në 2017 dhe 2021, sa mbarojnë zgjedhjet, ajo ndërron marshin, duke vazhduar taksimin socialist; takso 95% të shqiptarëve dhe falu benefite 5% të një oligarkie.

6.Propozimi i PD mbetet Kodi Fiskal që duhet të jetë ABC-ja e qeverisë së djathtë. Le ta nisim nga Kodi Fiskal, na duhet siguri juridike dhe jo pasiguri që vijnë nga ky sistem i pandershëm që furnizon vetëm bankomatin qeveritar.

7.Më pas le të ndërtojmë një nënkomision (drejtuar nga opozita) për shqyrtimin e kontratave koncesionare dhe PPP-ve, por edhe tenderave publikë në kuvend. Na takon ne që të mbajmë nën kontroll dhe kërkesë llogarie qeverinë, ndaj duhet të jetë opozita ajo që kontrollon këtë nënkomision.

8.Ne na duhet një sistem i thjeshtë fiskal, një sistem i taksës së sheshtë dhe një taksimi të ndershëm dhe të drejtë që secili paguan një taksë fikse për atë që fiton.

9.Ky është një sistem që takson punën më shumë se sa kapitalin. Takson me 23% sipërmarrjen dhe me 8% dividentin…a mos po zhvillohet Shqipëria më shumë nga dividenti apo nga sipërmarrja? Kjo është ekonomia me kokëposhtë!

Sistemi me kokëposhtë që ngrihet mbi oligopolet, tregun e kapur dhe sistemin e padrejtë fiskal./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit