Rikthehet nisma për studentët e mjekësisë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e miratuar vitin e kaluar nga qeveria Rama për bllokimin e diplomës.
Për të gjithë studentët që do të kryejnë studimet në tarifa jo të larta, por ashtu sikur janë tani do të duhet të punojnë tre vite me detyrim në spitalet shqiptare.
Ata që do t’i kapë ky ligj në vitin e tretë, detyrimin do ta kenë 2 vite e të tjerët nga një vit.
Vetëm pas kësaj periudhe do të kenë mundësi që të zhvendosen me punë jashtë shtetit shqiptar.
Projektligji parashikon edhe punësimin e shpejtë në institucionet e shëndetësisë.
Brenda 3 muajve nga përfundimi i studimeve ministria duhet t’i firmosë vendin e punës.
Por në rast se brenda kësaj periudhë, jo për shkak të punëmarrësit, nuk realizohet detyrimi do t’i jepet 80 për qind e pagës së mjekut për një afat 9 mujor.
Më tej thuhet se nëse sërish nuk realizohet marrja në punë, studentit i hiqet kushti i mbajtjes së ngrirë të diplomës.
Por sa i përket të rinjve që do të pranojnë të paguajnë faturën e fryrë të studimeve kushti i punësimit me detyrim hiqet, ndërsa tarifa do të vendoset nga vetë universiteti.
Ligji do të zbatohet nisur nga Viti Akademik 2024 e deri në 2029-ën nëse do të miratohet në Parlament.