Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të mërkurë në ceremoninë e dhënies së titujve “Doctor Honoris Causa” për personalitete të shquara ndërkombëtare në fushën e së drejtës, akademisë dhe artit, që u mbajt në Tiranë.
Ai theksoi rëndësinë e Shqipërisë si vend mikpritës i Kongresit Botëror të Ligjit 2027 dhe nënvizoi përpjekjet e vendit për të forcuar shtetin e së drejtës.
“Është një privilegj që ne, si kryeqytet, të jemi mikpritës të Kongresit Botëror të Ligjit. Më vjen shumë mirë që nesër do të jemi bashkë në një sesion të posaçëm, ku do të diskutojmë sfidat dhe mundësitë për avancimin e sundimit të ligjit. Ky organizim, i realizuar në bashkëpunim me universitetet shqiptare dhe World Law Foundation, është një moment i rëndësishëm për të nxitur dialogun ndërkombëtar dhe për të vlerësuar transformimet që Shqipëria ka bërë në drejtësi,” deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.









