SPAK po troket në dyert e PS dhe tashmë i është afruar goxha kupolës, i radhës në dyert e SPAK është Erion Veliaj i cili qëndroi më shumë se 6 orë në Prokurorinë e Posaçme, por a e shqetëson kjo shumicën socialiste?
“SPAK-u apo e gjithë drejtësia e re është një strukturë e ndërtuar me vullnetin dhe me votat e partisë socialiste, një drejtësi e re e cila këtë do të duhet që ta arrinte në sytë e opinionit publik pra të gjykojë çdo rast në të cilën gjykohet se ka nevojë për t’u analizuar, studiuar, verifikuar e pastaj për t’u gjykuar.
Pra nuk kemi asnjë shqetësim për sa i përket asaj çfarë qytetarët duan në fakt në vendin tone, të ketë një drejtësi e cila parimin e parë ka pandëshkueshmërinë. Pra, ne do të jemi të hapur dhe nuk do të gjykojmë dhe nuk do të komentojmë asnjë veprim të drejtësisë së re” tha Blendi Klosi.
Fakti që Veliaj shkoi në SPAK a është një tronditje për PS sepse është kryetari i bashkisë më të rëndësishme në Shqipëri? “Besoj e dhashë shpjegimin, e kam dhënë shpesh, nuk e kam problem që ta përsëris, ne kemi marrë tashmë një vendim për të mos komentuar asnjë veprim të drejtësisë së re. E kemi ngritur këtë drejtësi të re me parimin e parë që politika të mos ndërhyjë në vendimmarrjen e saj” tha ai.