Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përfundoi një udhëtim në Lindjen e Mesme, ndërkohë që nuk ka njoftime për një armëpushim apo marrëveshje për pengjet mes Izraelit dhe Hamasit.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, kryeministri Benjamin Netanyahu i tha zotit Blinken gjatë takimit të mërkurën se nuk do të pranonte asnjë marrëveshje që kushtëzonte lirimin e pengjeve me përfundimin e luftës në Gazë.
Kryeministri izraelit i tha Sekretarit Blinken se operacioni i planifikuar në qytetin Rafah do të vazhdojë me ose pa arritjen e një armëpushimi.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken u takua të mërkurën në Tel Aviv me të afërmit dhe mbështetësit e pengjeve izraelitë që ende mbahen nga Hamasi, një grup militant që cilësohet si terrorist nga Shtetet e Bashkuara.
Zoti Blinken e ka vizituar rajonin shtatë herë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit të nxitur nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Ai po synon arritjen e një armëpushimi që do të çonte në lirimin e pengjeve dhe do të sillte një pauzë të luftës që ka lënë të vrarë rreth 35,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës që kontrollohet nga Hamasi.
Kryediplomati amerikan dhe shefi i ushtrisë izraelite vizituan të mërkurën kalimin “Kerem Shalom” në kufi me Gazën. Zoti Blinken tha se Izraeli kishte bërë lëshime të dukshme për të lejuar më shumë ndihma për palestinezët dhe arritjen e një armëpushimi. Ai tha se bota po pret që Hamasi ta pranojë marrëveshjen e ofruar. Për më shumë Kliko KËTU/VOA