Vladimir Putini filloi mandatin e tij të pestë të martën si udhëheqës i Rusisë me një ceremoni pompoze në Kremlin. Ai fillon një mandat tjetër gjashtëvjeçar, pasi eliminoi kundërshtarët e tij politikë, filloi luftën shkatërrimtare në Ukrainë dhe përqëndroi të gjithë pushtetin në duart e tij.
Në ceremoninë brenda Pallatit të Madh të Kremlinit, zoti Putin vuri dorën mbi kushtetutën ruse dhe u zotua ta mbrojë atë, ndërsa vështrohej nga të pranishmit e përzgjedhur.
“Ne jemi një popull i bashkuar dhe i madh. Së bashku do të kalojmë të gjitha pengesat, do të realizojmë të gjitha planet, së bashku do të fitojmë”, tha zoti Putin pasi bëri betimin.
Që kur mori detyrën nga presidenti Boris Yeltsin në orët e fundit të vitit 1999, Vladimir Putini e ka transformuar Rusinë nga një vend që po rimëkëmbej nga një ekonomi e shkatërruar, në një vend që kërcënon sigurinë globale.
Pas sulmit të vitit 2022 në Ukrainë, që është shndërruar në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndaj Rusisë janë vendosur sanksione të rënda perëndimore. Rusia është orientuar gjithnjë e më shumë drejt regjimeve si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut për të marrë mbështetjen e tyre.
Tashmë në pushtet prej gati një çerek shekulli dhe i shndërruar në udhëheqësin më afatgjatë të Kremlinit që nga koha e Josif Stalinit, mandati i zotit Putin vazhdon deri në vitin 2030, kur ai do ta ketë sërish të drejtën për të kandiduar.
Sipas një skenari të mirëpërcaktuar, zoti Putin u shfaq fillimisht në zyrën e tij duke lexuar dokumente, përpara se të fillonte të ecte nëpër korridoret e gjata të Kremlinit. Ndërsa përshkonte distancën drejt ceremonisë së inaugurimit, ai u ndal për një moment përpara një pikture./VOA