Ish-kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar protestuesit poshtë dritares së banesës së tij ku qëndron i izoluar prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar për qëndresën e tyre të treguar në këto 11 vite të qeverisë së Edi Ramës, pavarësisht bindjeve politike.
Në fjalimin e tij para mbështetësve tek Rruga e Shpresës, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar mitingun e Ramës në Athinë.
Berisha shprehet se shqiptarët në Athinë i rezervuan përshëndetjen që meriton armiku i tyre, duke e lënë në mëshirën e Elisës për të thënë dy fjalë ngushëlluese.
“U bënë shpenzime kolosale, u kontraktuan çartera dhe u shpërndanë 2-300 litra naftë për person. U shpenzuan pothuajse 1 mln euro për shoën e Edi Ramës me të cilin kërkonte që të mbulonte superskandalet, vjedhjet e veta, të Erion Veliajt dhe suitës së tij. Por çfarë ndodhi?
Çdo shqiptar duhet të ndihet krenar me emigracionin tonë në Greqi, se nuk doli një vajzë nëne, nuk doli një bir nëne, se nuk doli një shqiptar, se nuk doli një shqiptare, të përshëndet Edi Ramën, por mbeti me përshëndetjen e Elisës së tij, Spiropali.
Edi Rama të rezervuan përshëndetjen që meriton, armiku i tyre. Të lanë në mëshirën e Elisës të të thotë dy fjalë ngushëlluese. Ata përfaqësuan kombin sot me dinjitetin më të madh.
Emigracioni ynë në Greqi dhe kudo e dinë se Edi Rama është Pashiqi i Tiranës, është Çubrilloviqi shqipfolës, është njeriu që Shqipërinë tokë e bekuar e zbrazi në 10 vite më shumë se çdo luftë civile, se çdo luftë lokale, se çdo luftë botërore ka zbrazur një vend.