Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit S.M për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Sipas njoftimit për media thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale.
Veçanërisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, pasojat nga të cilat janë lënduar shumë pjesëtar të KFOR-it, zyrtarë policorë, gazetarë e qytetarë të tjerë, si dhe dëmet materiale të shumta nga djegia dhe dëmtimi fizik. Tregon mjaftueshëm se i pandehuri nëse lihet që të mbrohet në liri do të tentojë që të ndryshojë provat e veprës penale, duke ndikuar në të dyshuarit e tjerë të cilët gjenden të lirë si dhe dëshmitarët tjerë eventualë, po ashtu në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit, i njëjti lehtë mund të arratiset duke marrë në konsideratë faktin se i pandehuri S.M është shtetas edhe i Serbisë dhe nëse lihet në liri, mund të arratisët, andaj në këtë rast caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe më se i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.