Në cilësinë e kryetares së Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, deputetja demokrate Albana Vokshi deklaroi këtë të dielë se Parlamenti nën drejtimin e Lindita Nikollës, gjendet në pikën më të ulët të historisë së tij.
Ajo u shpreh se Parlamenti po sillet si institucion në varësi në qeverisë ku urdhri i kryeministrit Ramës është ligj, ndërsa shtoi se i është drejtuar kryetares së Kuvendit me pesë kërkesa, për të cilat nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Praktikisht me anë të një instrumenti antiligjor, skandaloz që turpëron Parlamentin në një akt të paprecedentë në 33 vite parlamentarizëm, anëtarët socialistë të komisionit hetimor, kanë vendosur të përjashtojnë opozitën nga komisioni parlamentar sepse opozita nuk i duhet më komisionit dhe mbledhjet dhe vendimmarrjen e komisionit, e kanë zëvendësuar me votimin me firma që i dorëzojnë në protokoll.
I bëj thirrje Lindita Nikollës që urgjentisht të reagojë ndaj kërkesave tona e të vërë në shina të normalitetit komisionin hetimor e të mos pengojë hetimin parlamentar dhe zbardhjen e abuzimit prej 200 mln EURO për dy koncesionet në shëndetësi.
Përsëris ftesën për pjesëmarrje të deputetëve të maxhorancës në dy mbledhje që kam thirrur ditën e hënë:
– të kryesisë së komisionit, në orën 14.00, për të vendosur bashkë me nënkryetarin socialist dhe sekretarin si do të ecim përpara.
– mbledhjen e komisionit në orën 15.00 me 2 kërkesa në rendin e ditës:
- Të miratojmë kërkesat për informacion
- T’u japim kohë ekspertëve për hartimin e një plani të përbashkët hetimor
Si pjesë e opozitës, jemi të vendosur për të bërë transparencë për një nga aferat më korruptive të qeverisë së Edi Ramës. Pengesat artificiale në komisionin hetimor nuk kanë për të na penguar. Kush ka marrë pjesë në krimin e vjedhjes së shëndetit të shqiptarëve, nuk duhet të flejë i qetë! Çdo qindarkë e vjedhur duhet t’u kthehet shqiptarëve!” u shpreh deputetja.