Presidenti Joe Biden dhe sfiduesi i tij në zgjedhjet e 5 nëntorit, ish-presidenti Donald Trump, ranë dakord të mërkurën për dy debate, një në 27 qershor dhe një tjetër më 10 shtator.
CNN njoftoi se zyrtarët e të dyja fushatave ranë dakord për të mbajtur përballjen e parë pas gjashtë javësh, në studiot e rrjetit televiziv në Atlanta dhe pa publik. Debati i dytë do te drejtohet nga ‘ABC News’.
Zoti Trump, i cili në vitin 2020 humbi garën ndaj zotit Biden për t’u rizgjedhur, ka bërë thirrje prej disa javësh për një seri debatesh parazgjedhore. Presidenti Biden ra dakord së fundmi mbi këtë çështje.
Të mërkurën, zyrtarët e fushatës se zotit Biden sugjeruar datat në qershor dhe shtator, ndërsa thanë se ai nuk do të merrte pjesë në tre debatet e propozuara për shtator dhe tetor, nga komisioni jopartiak për debatet presidenciale, që ka organizuar të tilla, prej tre dekadash.
Në një postim në faqen e tij në median sociale “Truth Social” zoti Trump shkruante se ishte “i gatshëm të debatonte” me zotin Biden muajin e ardhshëm dhe në shtator. CNN-i, njoftoi datën e debatit të parë pak kohë më vonë.
Të dy kandidatët ironizuan me njëri-tjetrin, lidhur me parametrat e debatit, si për shembull se për sa kohë do t’i mbyllej mikrofoni njërit kandidat ndërsa tjetri ishte duke folur dhe se sa kohë do të zgjasë secili debat. Çështje që janë lënë të diskutohen në vazhdim.
“Donald Trump humbi dy debate ndaj meje në vitin 2020 dhe që atëherë, ai nuk është paraqitur për një debat”, shkruante presidenti Biden në një postim në platformën e mediave sociale X. “Tani ai po sillet sikur dëshiron të debatojë sërish për mua. Epo, ma bëj këtë nder, shoku”, shkruante ai më tej./VOA